Rritja e Inspektimeve të Tregut dhe Mbrojtja e Konsumatorit

Inspektorati i Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në vazhdimësi, çdo ditë, kryen inspektime te operatorët ekonomikë, të cilët operojnë në tregun e brendshëm.

Vetëm gjatë vitit 2022, Inspektorati i Tregut ka realizuar 2,830 inspektime, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2023 ka realizuar 589 inspektime. Gjatë qeverisjes dyvjeçare mars 2021-mars 2022, kemi gjithsej 6021 inspektime të tregut.

Këto shifra flasin qartë për përkushtimin tonë qeverisës, në mirëfunksionimin e tregut të brendshëm dhe mbrojtjen e konsumatorëve, duke u bazuar në zbatimin e ligjeve, si: Ligji për Inspektime, Ligji për Inspektoratin dhe Mbikëqyrjen e Tregut,  Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, Ligji për Tregtinë e Brendshme, Ligji për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtrishme, Ligji për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, Ligji për Kërkesat Teknike dhe Vlerësim të Konformitetit, Ligji për Punimet nga Metalet e Çmuara, Ligji për Tregtinë me Duhan, Ligji për Produktet e Ndërtimit, Ligjin për Metrologjinë, Ligji për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, Ligji per Markat Tregtare, Ligji për Turizmin.

Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, MINT përveç programit për mbrojtjen e konsumatorit dhe ligjit përkatës, ka sponsorizuar edhe miratimin e Ligjit Për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Rastet e Veçanta të Destabilizimit të Tregut, i cili është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por që është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese nga një subjekt politik ( LDK). Ky ligj, pos tjerash, do të mundësonte rregullimin e marzhave tregtare dhe marrjen e masave tjera mbrojtëse për furnizimin me produkte themelore, në harmoni me obligimet nga MSA dhe do t'iu mundësonte qytetarëve që shportën e përditshme ta kenë më të lirë.

Mirëpo, gjatë kësaj periudhe Inspektorati i Tregut ka intensifikuar punën dhe po vepron sipas bazës ligjore në fuqi dhe është duke ndërmarrë të gjitha veprimet, në rastet kur konstatohet se operatorët ekonomikë veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi, që janë në mandat të MINT, respektivisht të Inspektoratit të Tregut.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është tani në proces të rekrutimit të 27 inspektorëve të rinj të tregut dhe  është gjithherë e përkushtuar në mbrojtjen e konsumatorëve, duke monitoruar dhe inspektuar tregun e brendshëm.

MINT inkurajon të gjithë konsumatorët në Republikën e Kosovës, që të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse që t’i denoncojnë mashtrimet dhe dukuritë tjera që dëmtojnë konsumatorin, në mënyrë që të evitohen sa më shumë shkeljet dhe mashtrimet që iu bëhen atyre.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors