Si rezultat i letërzotimit të Kryeministrit dhe bashkëpunimit të ngushtë me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është bërë hapja solemne e kompanisë së parë gjermano-kosovare “KICK Engineering & Manufacturing Kosovo” Sh.P.K – si pjesë e KD Business Development GMBH dhe hap i parë historik për themelimin e parkut gjerman të biznesit në fushën e inxhinierisë mekanike dhe konstruksionit metalik në Kosovë.
Në këtë ngjarje të veçantë të pranishëm ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacioni, znj. Arbërie Nagavci, Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, përfaqësues të KD Business Development GmbH dhe të “Kick Group”, Dr. Ingo Schael, Prof. Holger Krebs, si dhe pjesëmarrës të tjerë nga bashkëpunimi ndërkombëtar dhe vendor.
Kryeministri Kurti dhe Ministrja Hajdari morën fjalën dhe duke iu uruar mirëseardhje investitorëve të rijnë gjerman, u shprehen shumë të përkushtuar në misionin e përbashkët për zhvillimin dhe transformimin e industrisë së vendit tonë.
Ministrja Rozeta Hajdari ka udhëhequr dhe mbështetur ekipin e KD Business Development që nga fillimi i procesit për gjetjen e zonës ekonomike për realizimin e projektit strategjik të parkut të biznesit në fushën e inxhinierisë mekanike dhe konstruksionit metalik në Republikën e Kosovës dhe koordinimin me shumë akterë institucional dhe nga sektori privat.
Ky park biznesi përfshin edhe qendrën e trajnimit, përkatësisht transferimin e njohurive dhe transferimin e teknologjisë dhe ka për qëllim ngritjen e industrisë së kualifikuar të metaleve në Republikën e Kosovës, në mënyrë ideale me ngritjen dhe zhvillimin e një parku biznesi të mbyllur për deri në 10-15 ndërmarrje të vogla dhe të mesme gjermane nga sektorët e inxhinierisë mekanike, ndërtimit të metaleve dhe industrive të ngjashme. Dhe, njëkohësisht duke i shërbyer kufizimeve të kapaciteteve përmes industrisë kosovare dhe krijimit të një ekonomie të qëndrueshme me ofrimin e një numri të madh të vendeve të punës.
Ministrja Hajdari potencoi se Qeveria Kurti me parimet e qeverisjes së mirë me politikat dhe legjislacionet e reja për përkrahjen e investimeve, me avantazhet konkurruese ‘nearshoring’ dhe me bashkëpunimin e afërt, ka rritur besimin për të investuar ne Republikën e Kosovës.
‘’Sot jemi bashkë për të festuar fillimin e misionit tonë të përbashkët shumë premtues për zhvillimin dhe transformimin e industrisë sonë gjermane dhe kosovare, me një projekt shumë serioz strategjik të 'Parkut të Biznesit me inxhinieri mekanike dhe ndërtim metalik' të zhvilluar me KD Business Development, dhe prezantuar të Kryeministri ynë Kurti, në verën e vitit 2021 nga Dr. Ingo Schael me partnerë. Jam e lumtur qe bashkëpunimi ynë i suksesshëm gjer me tani, ka rritur besimin dhe po bindë gjithnjë e më shumë investitorë për të investuar në Kosovë, në fushën e inxhinierisë dhe ndërtimit, të cilët tashmë kanë ndarë mjete dhe janë duke u përgatitur për ndërtimin e fabrikave të tyre në Kosovë’’ tha ministrja Hajdari.
‘’Kemi vizituar zona të ndryshme ekonomike në komuna të ndryshme, kemi bërë stuhi idesh së bashku, kemi takuar palët relevante të interesit, me shumë pyetje e përgjigje, dhe pas gjithë këtyre hapave dhe analizave, kemi konstatuar se zona ekonomike e Lipjanit e certifikuar dhe e themeluar me investime nga MINT, është e gatshme tani për të vendosur bizneset e juaja dhe e rëndësishme që është edhe pranë qytetarëve tanë të rinj në Prishtinë, të cilët kërkojnë punë’’ shtoi ministrja Hajdari.
Parku i biznesit gjerman ne zonën ekonomike në Lipjan, me mbështetjen dhe koordinim me MINT, do të mundësojë transformimin e industrisë së Kosovës, me më shumë inovacion dhe investime për zhvillim të produkteve dhe ndërtim të një ekosistemi, që mundëson punësim dhe zhvillim më të shpejtë industrial, duke u bazuar në përvojën dhe modernizimin e ndërmarrjeve gjermane.
MINT është e fokusuar në realizimin e objektivave strategjike me zhvillimin e politikave dhe legjislacionit për: përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe zhvillimin e konkurrencës në sektorin privat, zhvillimin e ndërmarrësisë dhe inovacionit, promovimin dhe mbrojtjen e investimeve të huaja, përmirësimin e standardeve dhe infrastrukturës së cilësisë duke përfshirë mbrojtjen e konsumatorëve, zhvillimin e turizmit, si dhe mbështetjen për krijimin e zonave ekonomike dhe instrumente tjera përkrahëse për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për rritjen e industrisë, përmirësimin e bilancit tregtar, rritjen e punësimit dhe rritjen e të ardhurave kombëtare.









