Sot në Prishtinë u mbajt konferenca “Të drejtat e Pronësisë Intelektuale” e cila u organizua nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Dogana dhe Policia e Kosovës në shenjë të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale. Në hapje të konferencës, në emër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) foli z. Ilir Salihu, cili ndër të tjera, theksoi se pronësia intelektuale është e mbrojtur me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet specifike.
Ai shtoi se vitin e kaluar, me inicimin e MTI-së, janë miratuar Ndryshimet dhe Plotësimet e Ligjit për Patenta dhe Ligjit për Marka Tregtare, si dhe janë miratuar ligje të reja për Dizajnin Industrial dhe për Treguesit Gjeografikë dhe Emërtimet e Origjinës. Z. Salihu më tutje theksoi se “Këto ligje, dhe të tjerat, ndihmojnë që krijuesit dhe komuniteti i biznesit të përfitojnë njohje dhe të kenë përfitime financiare nga shpikjet dhe krijimet e tyre. Ligjet e përmendura ofrojnë një balancë të interesave në mes të shpikësve dhe interesit të publikut, dhe një sistem i cili synon forcimin e ambientit në të cilin zhvillohen me sukses inovacioni dhe kreativiteti” tha ai. Më tej, z. Salihu nënvizoi se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është zotuar që të përkrah në vazhdimësi Agjencinë e Pronësisë Industriale në avancimin dhe përmirësimin e kapaciteteve të saj administrative, në funksion të biznesit. Aktualisht po punohet në avancimin e bazës së të dhënave të njohur si ‘IPAS’, e cila do t’i mundësoj publikut të ketë qasje në bazën e të dhënave në lidhje me patentat, dizajnet dhe markat tregtare të regjistruara pranë kësaj Agjencie. Mbrojtja dhe zhvillimi i të drejtave pronësore intelektuale është prioritet i Qeverisë së Kosovës, tha z. Salihu dhe shtoi se “Këto të drejta luajnë rol të rëndësishëm në raportet me vendet tjera, posaçërisht, në marrëveshjet e Tregtisë së Lirë.” Z. Salihu tha po ashtu se “pas hyrjes në fuqi të Marrëveshje për Stabilizim Asociim, bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me Doganat e Kosovës, Policinë e Kosovës, Inspektoratin e Tregut, gjykatat, si dhe ekspertët do të jetë edhe më përmbajtësor dhe efikas, me qëllim të koordinimit sa më të mirë të politikave dhe aktiviteteve që çojnë në realizimin e objektivave që dalin nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të rëndësishme me Bashkimin Evropian”. Në fund, z. Salihu uroi që institucionet e Pronësisë Intelektuale në Kosovë të anëtarësohen sa më shpejt në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare të pronësisë intelektuale dhe të nënshkruajnë të gjitha Konventat dhe Marrëveshjet Ndërkombëtare relevante që mbulojnë të Drejtat e Pronësisë Intelektuale. Në emër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit foli ministri Kujtim Shala, i cili, në mes tjerash theksoi se “Me punën që është bërë nga ana e MKRS-së në fushën e të drejtës së autorit dhe nga Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë në fushën e të Drejtave Pronësore Industriale, Kosova ka krijuar një sistem të konsoliduar të pronësisë intelektuale, bazuar në konventat ndërkombëtare dhe në direktivat evropiane të fushës.” Ai bëri të ditur se Kosova tashmë është plotësisht e përgatitur për të aderuar në Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale.