Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia Kosovare e Stadardizimit, shënuan sot Ditën Botërore të Standardeve me temën “Vizioni i Përbashkët për një botë më të mirë”.
Në këtë botë të ndryshueshme dhe sfiduese, bashkëpunimi global është më i nevojshëm se kurrë më parë. Standardet na ndihmojnë të ndjekim një vizion të përbashkët për një botë më të mirë, ku inovacioni, zhvillimi ekonomik dhe ruajtja e mjedisit janë të lidhura ngushtë, theksoi Ministrja Rozeta Hajdari, gjatë fjalës së saj.
Ministrja Hajdari, vuri theksin tek nevojat e vendit dhe kërkesat e Bashkimit Evropian, duke shtuar se Kosova është e fokusuar në adoptimin e standardeve të harmonizuara, të cilat çdo ditë e më shumë janë të pranishme në AKS si standarde kosovare, me ç’rast po përmbushet njëri nga kushtet për aderim në Unionin Evropian.
Ajo poashtu u zotua për angazhim me Qeverinë, rregullatorët dhe gjithë akterët tjerë kryesorë për të promovuar ato drejt progresit të matshëm duke shtuar se jemi në përpjekje të vazhdueshme, madje edhe kemi obligim ligjor që të plotësojmë kërkesat e vendit me standarde evropiane dhe ndërkombëtare, për të siguruar që produktet, proceset dhe shërbimet janë më cilësore dhe më të sigurta në Kosovë.
Konferenca vazhdoi me diskutim të frytshëm të panelit, me profesionistë të fushës, të cilët patën për qëllim ngritjen e vëmendjes dhe vetëdijes për rëndësinë e standardeve.
Ministrja Hajdari me këtë rast, shprehu edhe falënderimin për kryetarët e Komiteteve Teknike dhe të Këshillit Profesional, për punën e tyre, mbi baza vullnetare, në fushën e standardeve, e më pas ata u shpërblyen edhe me nga një mirënjohje në shenjë falënderimi.










