Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë shënuar Ditën e Inovacionit dhe Ditën ndërkombëtare të Pronësisë Intelektuale me temën “Gratë në Inovacion dhe Kreativitet”.
Kryeministri Albin Kurti konfirmoi mbështetjen në vazhdimësi të Qeverisë për inovacionin e në veçanti për gratë, duke përmendur veprimet e drejtpërdrejta që ndërhyjnë dhe ndikojnë ekonominë drejt barazisë dhe zhvillimit, e po ashtu theksoi rëndësinë e mbrojtjes së pronës intelektuale. Ai deklaroi se mbështetja për ndërmarrëset gra është investim, pra nuk është vetëm fuqizim i grave në biznes, por fuqizim i ekonomisë në përgjithësi.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, shprehu besimin në parimet e gjithëpërfshirjes dhe barazisë si shtytëse të zhvillimit socio-ekonomik dhe demokracisë së një kombi, duke theksuar pjesëmarrjen në rritje të grave, në drejtimet e studimit në shkencë, teknologji, inxhineri e matematikë, dhe se si ndërmarrëse të suksesshme me kreativitetin dhe idetë novatore, ato po krijojnë e lënë gjurmë të dukshme në ekonominë e Kosovës.
Marrë parasysh që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë rreth 90% të pjesëmarrjes së tregut global, ministrja Hajdari theksoi rëndësinë e posaçme që pronësia intelektuale të shihet si element i pandashëm në ekonomi, tashmë kur e dimë se pasuria fizike, e cila ka qenë përcaktuese për vlerën e një biznesi, është zëvendësuar me pasurinë intelektuale në shekullin e teknologjisë dhe revolucionit industrial.
Për inkurajimin e Inovacionit dhe Kreativitetit dhe zhvillimin e Pronësisë Industriale si degë kryesore e Pronësisë Intelektuale, ministrja Hajdari, shkoçiti të flasë për rolin e përkrahjes qeveritare me politika të shëndosha dhe instrumente financiare e teknike për krijuesit inovativ. Ajo njoftoi të pranishmit për hartimin e Programit të Pronësisë Industriale me 5 ligjet dhe 7 aktet nënligjore përkatëse tani në fuqi, përmes të cilave është përmirësuar ambienti i përgjithshëm për zhvillimin e pronësisë industriale në Kosovë dhe me synim anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Pronës Intelektuale (ËIPO), që do të hap rrugën për anëtarësim në Zyrën Evropiane të Patentave (EPO).
Ajo tutje njoftoi edhe për proceset e tanishme në hartimin e kornizës ligjore për Inovacionin dhe Ndërmarrësinë, Krijimin e Fondit të Inovacionit, si dhe instrumentet mbështetëse për Digjitalizimin e Industrisë në një sistem të mençur industrial për integrimin e teknologjive të reja, ndihmën financiare qeveritare për ndërtimin dhe mirëfunksionimin e parqeve teknologjike dhe krijimin e qendrave për inovacion dhe ndërmarrësi, si dhe kllasterëve e hapësirave tjera të përbashkëta me qëllim të ngritjes së kapaciteteve njerëzore, përfitimin e njohurive dhe shkathtësive të reja për shumë ndërmarrëse dhe ndërmarrës, për të drejtuar industrinë dhe për të përshpejtuar zhvillimin e ekosistemit me rritjen e inovacionit.
Ministrja Hajdari dha lajmin e mirë për nisjen dhe përmbylljen e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes me Bashkimin Evropian me 11 maj 2023, për pjesëmarrje në programin “Tregu i Përbashkët’’ në vlerë prej 4.2 miliardë eurove për periudhën 2021-2027, përmes të cilit ndërmarrjet tona mikro, të vogla dhe të mesme (SME), mund të aplikojnë për përfitim në thirrjet e hapura, si një mundësi e shkëlqyeshme përfitimi për bizneset e inovatorëve tonë.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani njoftoi për hartimin e kornizës ligjore për fushën e të drejtës së autorit dhe shprehu nderimin për gratë si shtyllë nxitëse e inovacionit dhe kreativitetit, të cilat me punën e tyre në profile të ndryshme, kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në fusha të ndryshme të pronësisë intelektuale, përkundër sfidave dhe vështirësive.
Ngjarja e sotme përfundoi me një panel diskutimi për politikat, masat dhe veprimet e qeverisë, bizneseve dhe organizatave joqeveritare, për Pronësinë Intelektuale dhe nxitjen e Inovacionit dhe Kreativitetit. Pjesëmarrës në këtë panel ishin Mentor Arifaj, zëvendësministër i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Isa Duka, zv/drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Pronësi Industriale në MINT, Zjarrta Osmani, drejtore e Zyrës për të Drejtat e Autorit në MKRS, znj. Luljeta Plakolli – Kosumi, prodekane e Fakulteti Juridik, Ermal Sadiku drejtor i “Link Plus” dhe kryetar i Bordit STIKK, Bleta Thaçi drejtore e “Open Data Kosova”, Teuta Sahatçiu ambasadore “Ëomen in Tech Kosova”, Vatra Abrashi drejtore e Autostrada Bienale dhe Laura Zherka drejtore e Departamentit të Inovacionit në MINT.
Pronësia intelektuale përfshinë të gjitha të drejtat ekskluzive për krijimet intelektuale. Ajo përfshinë dy lloje të drejtash: Pronësinë Industriale, e cila ngërthen përbrenda shpikjet (patentat), markat tregtare, modelet & modelet industriale dhe emërtimet e origjinës, si dhe të drejtën e autorit, e cila ruan pronësinë artistike dhe letrare.
















