Në lidhje me shkrimin e botuar në Agjencinë e Lajmeve “Kosova Press”, me datë 03.02.2016, me titull “Hykmete Bajrami po tenton të “kontrabandoj” ligjin e naftës” të huazuar poashtu edhe nga disa portale tjera, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë bën këtë sqarim:
Qëllimi i kryesor i Projektligjit për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme është krijimi i një tregu konkurrent, sigurimi i cilësisë së produkteve të naftës, rritja e sigurisë, krijmi i lehtësirave për operatorët ekonomik, dhe transpozimi i direktivave europiane. Projektligji përmban dispozita të reja të cilat përmirësojnë ato të mëparshmet që kanë pasur mangësi sa i përket rregullimit, monitorimit dhe mbikqyrjes së cilësisë dhe sasisë së karburanteve të lëngëta të naftës, ku me këto ndryshime kontrolli dhe monitorimi i tregut të karburanteve do të jetë shumë më efikas dhe do të garantojë cilësi për konsumatorët kosovarë.
Me këto ndryshime do të ketë zvogëlim të dukshëm të hapësirës për keqpërdorime, gjë e cila po i pengon disa individë të cilët janë të interesuar që të krijojnë huti në opinion me deklarime pa fakte. Në këtë Projektligj janë përfshirë praktika të mira të dëshmuara në shtetet tjera. Ndryshimet, në këtë projektligj, përfshirë Nenin 5, paragrafi 6, i cili është kundërshtuar nga disa individë dhe grupe të interesit, do të kontribuojnë edhe në luftimin e informalitetit brenda këtij sektori, pasi që përmes deponive do të pamundësohet importi i naftës në mënyrë të parregullt. Mbikëqyrja e cilësisë së karburanteve do të jetë më efektive dhe do të eliminojë barrierat në qarkullimin e mallrave, për shkak se mënjanon ngarkesat tek operatorët ekonomik të cilët janë të obliguar që të bëjnë riverifikimin e konformitetit të dokumenteve për importin e naftës në pikat doganore me rastin e importit, praktika këto të cilat janë kundërshtim me legjislacionin e BE-së.
Sa i përket pohimit të pasaktë se me këtë projektligj po krijohet monopol në importin e karburanteve, MTI sqaron se ky argument është i paqëndrueshëm, pasi që në këtë projektligj nuk kufizohet numri i importuesve – pra të gjithë operatorët që i plotësojnë kushtet ligjore do të marrin licencë të importit. Për hir të informimit të drejtë të opinionit, po ju njoftojmë se aktualisht janë 13 operatorë të licencuar për import me shumicë të cilët posedojnë deponi, gjë e cila konfirmon se nuk bëhet fjalë për kurrfarë monopoli.
Disponueshmëria e deponive me kapacitetin minimal të nevojshëm, të përcaktuar sipas llojit të karburantit, përveç tjerash, garanton edhe mbrojtjen e mjedisit dhe pronës nga fatkeqësitë të cilat mund të vijnë si rezultat i qëndrimit të produkteve të naftës në vende joadekuate, madje edhe nëpër mauna (autobote) për kohë të caktuar. Sepse siç dihet, natyra e karburanteve të naftës është e tillë që importi me sasi të vogla dhe pa mundësi të shkarkimit në deponi krijon kushte për dëmtim të cilësisë, por edhe vështirëson mbikëqyrjen efikase të tregut të karburanteve.
Së fundmi, MTI njofton opinionin se Projektligji për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme i është nënshtruar të gjitha procedurave të rregullta ligjore për draftimin e ligjeve dhe pas miratimit nga Qeveria e Kosovës është dërguar në Kuvend për procedim të mëtejmë.