Në lidhje me artikullin e publikuar në gazetën Koha ditore dhe portalin Koha.net të datës 8 tetor 2015, me titull “Ministrja Bajrami nuk e suspendoi drejtorin që po hetohet në MTI” i cili është publikuar edhe në disa portale të tjera, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dëshiron të bëj këtë sqarim publik:
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka qenë e informuar nga asnjë institucion i drejtësisë në lidhje me fillimin e hetimeve ndaj zyrtarit të Agjencisë së Metrologjisë i apostrofuar në artikullin e sipër-përmendur. Rasti në fjalë daton nga viti 2013 kur është inicuar një kallëzim penal nga vet Agjencia e Metrologjisë që funksionon në kuadër të MTI-së, por deri në momentin kur po bëhet ky sqarim, MTI nuk ka pranuar asnjë njoftim formal nga institucionet kompetente për zhvillimin e hetimeve ndaj zyrtarit të Agjencisë së Metrologjisë.
Për sa i përket pretendimit të autores së shkrimit në lidhje me standardet e dyfishta në vendimet e Ministres së MTI-së, dëshirojmë të sigurojmë opinionin që vendimet e Ministres së MTI janë bazuar dhe do të bazohen në një standard të vetëm – atë të respektimit të ligjeve në fuqi në Kosovë. Ligji e ka përcaktuar qartë se kur mund të suspendohet një shërbyes civil dhe Ministrja e MTI-së do t’i respektojë plotësisht dispozitat ligjore përkatëse.
Dëshirojmë të konfirmojmë edhe njëherë zotimin institucional për të respektuar vendimet e organeve të drejtësisë dhe në momentin që do të pranojmë njoftimin zyrtar nga organet kompetente për rastin në fjalë ne do të ndërmarrim masat e nevojshme në përputhje me ligjin në fuqi.