SQARIM PËR PUBLIKUN

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) sqaron opinionin publik lidhur me disa shkrime të publikuara në portale, ku pretendohet se ministrja në detyrë Mimoza Kusari-Lila ka “preferuar hotelet me motivacion multietnik para atyre shqiptare” gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të Sekretarit Shtetëror për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Landit të Nordrhein-Westfalen, z. Christian Wiermer.

Ky pretendim është i pavërtetë dhe përbën dezinformatë.

Së pari, duhet të bëhet e qartë se aktiviteti nuk është organizuar nga MINTI dhe as nga ministrja në detyrë Kusari-Lila. Ai është organizuar nga Ambasada Federale e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, e cila ka përcaktuar edhe lokacionin e aktivitetit. Ministrja ka marrë pjesë si e ftuar dhe ka respektuar organizimin dhe protokollin e nikoqirit.

Prandaj, t’i atribuohet ministres përzgjedhja e hotelit apo të pretendohet se ajo ka “preferuar” një hotel mbi bazë etnike është manipulim i drejtpërdrejtë i fakteve.

Asnjë nga portalet, që kanë publikuar këto pretendime, nuk kanë kontaktuar MINTI-n, ministren apo organizatorin – Ambasadën Gjermane – për të verifikuar informacionin para publikimit. Kjo është veçanërisht problematike kur bëhet fjalë për një pretendim që mund të verifikohej lehtësisht.

MINTI thekson se përkatësia etnike nuk është dhe nuk ka qenë kriter në aktivitetin institucional të ministres Kusari-Lila, e cila në vazhdimësi promovon bizneset vendore pa dallime dhe angazhohet për zhvillim të barabartë ekonomik në të gjithë Kosovën.

Kritika është pjesë e demokracisë, por raportimi duhet të bazohet në fakte dhe në verifikim, jo në insinuata dhe narrativa të fabrikuara.

Faktet janë të qarta: aktiviteti u organizua nga Ambasada Gjermane, jo nga MINTI apo ministrja; lokacioni u përzgjodh nga Ambasada. Çdo pretendim që e paraqet këtë si zgjedhje të ministres është dezinformatë dhe manipulim i fakteve.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors