Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), njofton opinionin publik lidhur me Udhëzimin Administrativ (MINT) 06/2024 për Përcaktimin e Rregullave dhe Procedurave për Administrimin e Kuotave në Import
Me qëllim informimin e drejtë publik dhe vendimmarrjen transparente, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njofton opinion publik se:
UDHËZIMI ADMINISTRATIV (MINT) 06/2024 PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE PROCEDURAVE PËR ADMINISTRIMIN E KUOTAVE NË IMPORT, i nënshkruar me datë 06 gusht 2024, është hartuar në mbështetje të Ligjit Nr. 08/l-021 për Tregti me Jashtë.
Ky udhëzim administrativ është në përputhje me praktikat ndërkombëtare, marrëveshjet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian. Bazuar në parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë; Kuotat në Import mund të vendosen kryesisht për mbrojtjen sezonale të produkteve të caktuara.
Udhëzimi Administrativ (MINT) 06/2024, shprehimisht përcakton se vetëm në rastin e kufizimeve të importit që përfshijnë vendosjen e kuotave tarifore, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pas një analize të hollësishme, të dokumentuar e të detajuar, duhet të shpallet njoftimi për aplikimin e kuotave të caktuara në importe, në periudhën kohore për administrimin e kuotave respektive. Vetëm në rastet kur vërtetohet se ka import të tepruar, që dëmton prodhimin vendor, për kohë të caktuar, respektivisht gjatë sezonave të caktuara. Në raste të tilla, duhet të ketë njoftim publik për sasinë, vlerën, vëllimin ose peshën e përgjithshme të produktit. Si dhe, përcaktohet qartë mënyra e vendosjes së kuotave tarifore, afatet kohore për vlefshmërinë, rregullat dhe procedurat për administrimin jodiskriminues të kuotave në import.
Në rastet e aplikimit të kuotave, të gjithë operatorët ekonomik të cilët aplikojnë për kuota tarifore, do të kenë trajtim të barabartë, me kritere e mënyrë të saktë të shpërndarjes së produkteve të importit.
Miratimi i Udhëzimit Administrativ (MINT) 06/2024, plotëson kornizën ligjore në kuadër të Ligjit Nr. 08/l-021 për Tregti me Jashtë, i cili ligj përcakton parimet e përgjithshme që rregullojnë tregtinë me jashtë të Republikës së Kosovës, në përputhshmëri me praktikat më të mira ndërkombëtare, marrëveshjet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe legjislacionin përkatës të Bashkimit Evropian.
Udhëzimit Administrativ (MINT) 06/2024, rregullon ligjërisht zbatimin korrekt të dispozitave për kuotat tarifore, dhe administrimin jodiskriminues në kufizimet e produkteve të importuara.
Në asnjë mënyrë, ky udhëzim administrativ në fjalë, nuk implikon ekonomitë familjare në Kosovë, nuk favorizon operatorë ekonomik, si dhe nuk ndikon në kufizimin e operimit të rregullt në tregun e lirë të vendit.
Vlenë të theksohet se, Udhëzimi Administrativ (MINT) 06/2024, i ka kaluar të gjitha procedurat legjislative dhe konsultimet publike me palët e interest, përfshirë ministritë dhe institucionet tjera përkatëse, komunitetin e biznesit dhe Odën Ekonomike të Kosovës(OEK).
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësië, dhe Tregtisë (MINT), do të vazhdojë punën për krijimin e ambientit për të bërit të drejtë, të adaptueshëm dhe konkurrues, si dhe të promovojë lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare në mes Kosovës dhe vendeve tjera.