Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, bashkë me përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), dje në Parkun e Biznesit në Drenas, mbajtën takimin e 4-të Komitetit Drejtues të Programit për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) në Kosovë. Ky program është krijuar nga BERZH me qëllim të përkrahjes së ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës, që të jenë më konkurrente në tregun vendor dhe atë ndërkombëtar.
Në këtë takim të Komitetit Drejtues u diskutuan arritjet e programit me 2/3 të përfituesve me pjesëmarrje në sektorë të ndryshëm prodhimi vendor dhe ku 70% prej tyre janë me kontribut në agjendën e gjelbër. Konkludimet e takimit gjerë në vitin e ardhshëm ishin të përqendruara në infrastrukturën e cilësisë për zhvillimin e zingjirit të vlerës, ekonomia qarkore dhe agjenda e gjelbër me fokus në ndërmarrjet e mesme, që janë garantues për rritjen e punësimit dhe eksportit.
Ndër të tjera, u diskutua edhe klima e mirë e të bërit biznes në Kosovë, me përparësitë konkurruese 'nearshoring' dhe treguesit e rritjes ekonomike, sundimit të ligjit, transparencës dhe demokracisë në rritje të lartë në Republikën e Kosovës.
Në Parkun e Biznesit të Drenasit, Ministrja Hajdari me anëtarët e Komitetit Drejtues u mirëpritën nga biznesi Powerpack, ku u njoftuan nga afër me kushtet e punës, procesin e suksesshëm të prodhimit dhe mjedisin e të bërit biznes të këtij prodhuesi vendor me eksport mbi 90%.
Ministrja Hajdari siguroi se Qeveria Kurti me parimet qeverisëse dhe programin për punë dhe drejtësi, do të vazhdojë të mbështesë sektorin privat përmes avancimit të politikave, përmirësimit të legjislacionit dhe instrumenteve mbështetëse, me qëllim të rritjes së konkurreshmërisë të prodhimeve vendore, për pjesëmarrje më të madhe në tregun rajonal, evropian dhe më gjerë.








