Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), në bashkëpunim me programin “Promovimi i punësimit në sektorin privat” (PPSE), i cili implementohet nga Swisscontact, ka mundësuar pjesëmarrjen e tur- operatorëve kosovarë në panairin e turizmit “Travel Turkey Izmir 2015”, i cili po mbahet në Izmir të Turqisë.
Kosova është përzgjedhur si shtet partner për pjesëmarrje në këtë panair, dhe është prezantuar në të gjitha materialet promovuese të këtij panairi.
Në këtë ngjarje me rëndësi po merr pjesë zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës, z.Avni Kastrati dhe Drejtori i Përgjithshëm i KIESA-s, z.Besian Mustafa.
Zv/ministri Kastrati ka kontaktuar përfaqësues të vendeve të ndryshme për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe fusha tjera me interes të përbashkët.
Ndërsa, z. Mustafa gjatë fjalimit në ceremoninë e hapjes së panairit e ka cilësuar të rëndësishëm partneritetin mes Kosovës dhe Turqisë në fushën ekonomike, sociale, historike e kulturore. Theks të veçantë, z. Mustafa i ka vënë promovimit të investimeve dhe turizmit.
“Turizmi si një sektor i ri në Kosovë, ka rëndësi të veçante për zhvillimin ekonomik të vendit. Si një ndër vendet e vjetra në Evropë, Kosova ka shumë për t’iu ofruar turistëve të jashtëm dhe atyre që janë në kërkim të aventurës: një numër të madh të pamjeve historike që reflektojnë trashëgiminë tonë multi-kulturore dhe multi-fetare, male të bukura për aventurieret që ecin, bëjnë kampingje, paraglide dhe mikpritje nga njerëzit më miqësorë që mund të kenë takuar ndonjëherë. Shumica e turistëve pasi ta vizitojnë njëherë Kosovën, ata kthehen sërish aty pasi që në këtë vend ka gjithmonë gjëra të bukura dhe magjike për të ofruar”, ka thënë z. Mustafa.
Në këtë panair, turizmin kosovar, përveç përfaqësuesve nga KIESA janë duke e promovuar edhe këta tur-operatorë dhe agjenci turistike: “Altavia Travel”, Prishtinë, “Traveks”, Prishtinë, “Veneta Travel”, Prishtinë , “Vector Tours”, Prizren, “Kosova Outdoor”, Pejë dhe SHTAK (Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës ).
Që në ditën e parë të hapjes së panairit, shtandi i Kosovës prej 44m2 ka zgjuar interesim të madh te të pranishmit dhe vizitorët për turizmin e Kosovës. Shtandi i Kosovës u vizitua nga Ministri i Turizmit të Turqisë, kryetari i Adanasë, kryetari i Izmirit si dhe ambasadori i Kosovës në Turqi, z.Avni Spahiu.
Nga ana e përfaqësuesve nga Kosova po prezantohen ofertat turistike si dhe po shkëmbehen informata dhe përvoja me afaristë të ndryshëm.
Panairi i turizmit në Izmir ka një hapësirë rreth 25.000 m2, dhe në të gjatë vitit të kaluar kanë marrë pjesë 902 ekspozues nga 30 shtete dhe mbi 28 mijë vizitorë nga 68 shtete.