Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) u mbajt takimi i gjashtë i Nëngrupit Punues për Shërbime, i themeluar në kuadër të strukturave për politika tregtare, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Qeverisë së Kosovës, bizneseve dhe shoqatave të biznesit. Takimi është organizuar nga Departamenti i Tregtisë në MTI, ndërkaq është kryesuar nga Zef Dedaj, zyrtar i lartë për hartimin e politikave tregtare.
Qëllimi i takimit ishte informimi i bizneseve me të arriturat e deritanishme sa i përket fushës së shërbimeve, si dhe mundësia e paraqitjes së shqetësimeve apo problemeve aktuale, me të cilat aktualisht ballafaqohet sektori i shërbimeve, qofshin ato probleme teknike, legjislative, administrative apo edhe probleme të tjera lidhur me këtë sektor.
Në takim u ngritën dhe u diskutuan edhe çështjet e parapara, si informimi i bizneseve lidhur me ngjarjet e fundit dhe me të arriturat në shërbime, si dhe informimi për fillimin negociatave në kuadër të CEFTA-s. Po ashtu, u diskutuan edhe disa nga inputet e marra nga bizneset, si: barrierat, sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen këto biznese në Kosovë dhe në rajon.
Po ashtu, të pranishmit u informuan rreth funksionimit të operatorëve ilegalë në transportin urban, si çështje e adresuar për zgjidhje në kuadër të institucioneve përgjegjëse.
Për më shumë, bizneset e fushës së transportit patën rastin t’i paraqesin edhe disa nga çështjet apo shqetësimet me të cilat ata po ballafaqohen, që janë të lidhura me transportin, si: problemi me kartonin e gjelbër, shkurtimi i mundësisë së operimit të transportuesve të Kosovës, në rajon dhe më gjerë.
Në fund, nga Departamenti i Tregtisë u kërkua që të mundësojë një adresim të profileve të sektorëve në përgjithësi nga asociacionet e biznesit dhe vetë bizneseve, do të ishte më i mirëseardhur sesa ankesat individuale të bizneseve të fushave të ndryshme, për të gjetur zgjidhje sa më adekuate për operimin efikas të sektorëve të shërbimeve në Kosovë.