U mbajt takimi i parë koordinues i Task Forcës me Grupet Punuese për reformat që ndërlidhen me raportin e Bankës Botërore “Të Bërit Biznes”

Sot, në Prishtinë u mbajt takimi i parë koordinues i Task Forcës me Grupet Punuese për reformat që ndërlidhen me raportin e Bankës Botërore “Të Bërit Biznes”, ku u lansua cikli i ri i reformave që do të ndërmerren nga institucionet e Kosovës lidhur me përmirësimin e indikatorëve të Bankës Botërore për të bërit biznes.

Në hapje të takimit, zëvendës kryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, theksoi se me vendim të Qeverisë kemi krijuar Task Forcën e Kosovës për koordinimin e reformave për të bërit biznes dhe kemi caktuar organet qeveritare përgjegjëse për secilin nga indikatorët e Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes. “Si rezultat i angazhimit të Task Forcës dhe Grupeve Punuese janë bërë një sërë përmirësimesh të cilat janë reflektuar në Raportin e fundit të Bankës Botërore ku Kosova është renditur në pozitën e 60 në nivel botëror,” tha ai, duke shtuar se “Task Forca, përkatësisht, koordinimi institucional rreth adresimit të indikatorëve të Bankës Botërore në Kosovë është cituar në raportin e fundit të Bankës Botërore si praktikë e mirë.” Z. Kelmendi u bëri thirrje të gjitha ministrive dhe institucioneve përgjegjëse që të punojnë me seriozitet maksimal në mënyrë që ky cikël i reformave të jep rezultate konkrete të cilat jo vetëm që do të ngrisin rangimin e Kosovës në Raportin e Bankës Botërore për të Bërit Biznes por do të japin efekte të prekshme në punën e bizneseve duke afirmuar Kosovën para investitorëve si vend ku ia vlen të investohet. Në anën tjetër, Ministrja Hykmete Bajrami, në cilësinë e udhëheqëses së Ministrisë koordinuese të kësaj Task Force potencoi se përmirësimi i mjedisit afarist në vend nuk është punë vetëm e një Ministrie apo institucioni por e të gjithëve së bashku, përfshirë edhe komunitetin e biznesit. Bajrami shtoi se rritjen e rangimit të Kosovës në raportin e fundit të Bankës Botërore e kanë ndihmuar disa indikatorë, e në veçanti ‘Fillimi i një Biznesi’ i cili është ngritur nga vendi i 27 në vendin e 13-të, ‘Pagesa e Tatimeve’ nga vendi i 77-të në vendin e 43-të dhe ‘Tregtia Përtej Kufijve’ që është ngritur nga vendi i 59-të në vendin e 51 në botë. “Këto përmirësime janë rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe Task Forcës për të Bërit Biznes si dhe e grupeve punuese të specializuara për indikatorët e Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes,” nënvizoi ministrja Bajrami. Prandaj, qëllimi i këtij takimi është që të iniciohet faza e dytë e reformave për Raportin e Bankës, e cila shpresojmë që do të identifikojë edhe më shumë veprime dhe aktivitete që mund të ndërmerren për adresimin e indikatorëve të Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes dhe rrjedhimisht përmirësimin e mjedisit të përgjithshëm afarist në vend”, tha ajo. Ministrja Bajrami u bëri thirrje institucioneve relevante që ta marrin me seriozitet ciklin e ri të reformave për përmirësimin e mjedisit afarist, ku do të përfitojë veçanërisht sektori privat dhe në përgjithësi Kosova. Ministrja e MTI-së, po ashtu, falënderoi edhe përfaqësuesit e projektit të USAD-it “Partneritet për Zhvillim” për mbështetjen e tyre në tërë këtë proces të rëndësishëm. Gjatë takimit, grupet punuese sollën pikëpamjet e tyre lidhur me procesin e deritanishëm të reformave si dhe u prezantua edhe planit i ri të veprimit si dhe plani kohor i punëve për fazën e re të reformave për të bërit biznes.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors