Mbi 200 të sapodiplomuarve iu janë shpërndarë certifikata për ndjekjen e punës praktike për tre muaj në kompani të ndryshme në sektorin privat në tërë Kosovën.
Shpërndarja e certifikatave u bë nga Besian Mustafa, drejtor i përgjithshëm i KIESA-s; Drin Haraqia, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Punësimit dhe nga Valbona Bogujevci, ndihmëse e Përfaqësuesit të Përhershëm dhe koordinatore e Programit për UNDP në Kosovë.
Kjo është arritur përmes programit “Praktikë në Punë”, që është mbështetur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Agjencia e Punësimit e Kosovës dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Gjatë ceremonisë së ndarjes së certifikatave, drejtori i përgjithshëm i KIESA-s, Besian Mustafa, i informoi të pranishmit për mbështetjen e këtij programi. “Është viti i tretë që KIESA në bashkëpunim me UNDP dhe MPMS e realizon programin ‘Praktikë në punë’. KIESA ka filluar këtë projekt me një objektiv të dyfishtë: objektiv të zhvillimit ekonomik, ku në njërën anë studentët t’i transferojnë njohuritë e tyre akademike tek NVM-të dhe njëkohësisht NVM-të t’i transferojnë njohuritë teknike operative me këta studentë”, tha Mustafa.
Të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse iu drejtua edhe Valbona Bogujevci nga UNDP dhe Drin Haraqia nga Agjencia e Punësimit e Kosovës.
Programi “Praktikë në Punë” ka për qëllim t’u mundësojë të papunëve, të sapodiplomuar në institucionet e arsimit të lartë, një mundësi që të bëjnë praktikë tremujore në ndërmarrjet e sektorit privat, në mbështetje të punësimit të qëndrueshëm në Kosovë.
