Inicializimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA) ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, i cili u bë të premten në Bruksel, shënon përfundimin zyrtar të procesit negociator dhe dakordimin e të dyja palëve mbi tekstin e negociuar të marrëveshjes. Hapi i ardhshëm do të jetë miratimi i MSA-së nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe nënshkrimi i marrëveshjes.
Pasi pjesa më e madhe e marrëveshjes i përket ekonomisë. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për disa muaj rresht ka negociuar një marrëveshje shumë të mirë dhe të favorshme për ekonominë kosovare, e cila nga njëra anë u siguron qasje të qëndrueshme produkteve kosovare në tregun evropian, gjithashtu siguron qasje në lëndë të parë me një çmim të volitshëm për prodhuesit vendorë, por në anën tjetër siguron një mbrojtje në disa periudha transitore për produktet dhe për prodhimet kosovare.
Në muajin dhjetor 2012, Këshilli Evropian ka konfirmuar progresin dhe mundësinë e hapjes së negociatave për MSA-në ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Kjo mundësi është kushtëzuar me obligimin e Kosovës që të përmbushë kriteret afatshkurta, të përshkruara në studimin e Fizibilitetit. Në muajin prill 2013, Komisioni Evropian ka konfirmuar që Kosova ka përmbushur kriteret afatshkurta në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike, të drejtave të minoriteteve dhe tregtisë. Në qershor 2013, duke pasur parasysh përmbushjen e kritereve afatshkurta, Këshilli Evropian vlerësoi arritjet dhe konfirmoi nisjen e negociatave për MSA. Me 28 tetor 2013, është mbajtur takimi i parë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian për negocimin e MSA-së. Më 27 nëntor është mbajtur takimi i dytë.
Ndërkohë janë zhvilluar dhjetëra takime teknike që kanë pasur për qëllim negocimin dhe dakordimin e të gjithë tekstit të MSA-së. Më 2 maj 2014, është mbajtur takimi i tretë dhe i fundit negociator ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian për negocimin e MSA-së. Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian përbëhet nga 416 faqe, të ndara në 10 tituj, 7 anekse dhe 5 protokolle.