Vizita e Ministres Hajdari në “Expo 2020 Dubai”

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, më 6 dhe 7 dhjetor 2021, zhvilloi vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), në kuadër të Ekspozitës Botërore “Expo 2020 Dubai” me temën e kësaj ekspozite “Lidhja e Mendjeve dhe “Krijimi i së Ardhmes”.

Gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ministrja Hajdari ka marrë pjesë  në forumin: “Mundësitë e të Bërit Biznes në Kosovë”, organizuar në kuadër të aktiviteteve promovuese nga Republika e Kosovës në “Expo 2020 Dubai”, gjatë periudhës 1 Tetor 2021 – 31 Mars 2022. Ministrja Hajdari në fjalën e saj para përfaqësuesve të institucioneve të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), përfaqësuesve të shumtë të vendeve pjesëmarrëse në Expo 2020 dhe komunitetit të biznesit, duke falënderuar të pranishmit për interesimin e shprehur, ka theksuar se vendndodhja strategjike, potencialet ekonomike, natyrore  e njerëzore, qeverisja stabile me parimet e përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies, e bëjnë Republikën e Kosovës një vend tërheqës dhe shumë të favorshëm për investitorët e huaj, sidomos tani pas krizës COVID 19, ku shumë biznese janë në riorganizim për ulje të shpenzimeve operative, të transportit dhe diversifikim të furnizimeve.

Në këtë kontekst, Ministrja Hajdari me kolegët e saj nga MINT dhe MPJD,  kanë prezantuar një numër të përparësive konkurruese që ka Kosova, e të cilin vend mund ta zgjedhin afaristët e huaj si destinacion investimi, përfshirë këtu si: Euro valuta zyrtare, legjislacioni në pajtueshmëri me legjislacionin e BE-së, sistemi i thjeshtë dhe i favorshëm tatimor, sistemi bankar stabil, popullata e re si një forcë pune e mirë-arsimuar dhe shumë gjuhë folës,  lokacioni gjeografik me infrastrukturë të zhvilluar rrugore, dixhitale dhe qasje të afërt në portet detare, faktorë këta që janë shumë të rëndësishëm në garantimin e suksesit të një investitori. 

Po ashtu vlenë të theksohet se pjesa kryesore e agjendës së Ministres Hajdari ka qenë e rezervuar për shoqatat industriale dhe përfaqësuesit e bizneseve të ndryshme nga Kosova, të cilët përgjatë këtyre dy ditëve, kanë qenë prezentë në “Expo 2020 Dubai”, me pjesëmarrje në Forumin Global të Biznesit, takime B2B dhe vizita në pavijonet e shumë shteteve pjesëmarrëse në Expo 2020, ku komuniteti i biznesit kosovar për së afërmi ka gjetur mundësitë e bashkëpunimit dhe vënies në kontakt me përfaqësues të institucioneve dhe kompanive të ndryshme, në fusha me interes të ndërsjellë.

Në takimin bilateral me Ministrin e Shtetit për Tregti të Jashtme të EBA-s, Dr. Thani Al Zeyoudi, Ministrja Hajdari falënderoi Ministrin Dr. Al Zeyoudi për mbështetjen që EBA  i ka dhënë Republikës së Kosovës, për mundësinë e pjesëmarrjes në Ekspozitën Botërore “Expo 2020 Dubai”, me organizim dhe mikpritje nga EBA dhe me udhëheqje nga Zyra Ndërkombëtare e Ekspozitave (BIE) me seli në Paris.

Ministrja Hajdari vlerësoi se pjesëmarrje e takime të tilla në nivele botërore, janë një mundësi e mirë për shqyrtimin e modaliteteve e alternativave më të përshtatshme të cilat do të kenë ndikim direkt në marrëdhëniet ekonomike, respektivisht investimet  dhe shkëmbimet tregtare në mes Kosovës dhe EBA dhe shumë vendeve tjera nga bota. Në këtë linjë, Ministrja Hajdari theksoi se Kosova është e hapur për investime nga Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e parë këtë në shërbim të bashkëpunimit në sektorë industrial me prioritet si: energjia, turizmi, industria përpunuese, e sektorë tjerë me interes të përbashkët. 

Ministrja Hajdari ftoi homologun Dr. Al Zeyoudi që së bashku me afaristë të realizojnë një vizitë në Republikën e Kosovës, ku nga afër do të kenë mundësinë të njihen me klimën e përshtatshme të të bërit biznes dhe mundësitë e shkëlqyeshme që ofron Kosova për investimet e huaja.

Post ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost Image
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors