Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, mori sot pjesë në punëtorinë e organizuar nga MINT, me mbështetje të Projektit të GIZ “EU4Business: Mbështetje për Integrimin Ekonomik Rajonal”, ku u diskutua për Kornizën Ligjore Teknike e cila mbulon Makineritë, respektivisht Fuqizimin e tregut vendor përmes rregullave teknike dhe mbikëqyrjes së tregut.
Në këtë punëtori Arifaj, në fjalën e tij hyrëse, foli rreth qartësimit të rrugës për harmonizimin dhe implementimin e legjislacionit mbi fushat e legjislacionit teknik për produktet jo ushqimore e cila është pjesë esenciale për zhvillimin dhe funksionimin e Infrastrukturës së Cilësisë.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në procesin e Integrimit Evropian, më saktë në Procesin e Stabilizim Asociimit është e angazhuar mbi funksionalizimin e plotë të Infrastrukturës së Cilësisë dhe fuqizimin e të gjitha pjesëve përbërëse të saj”, tha Arifaj.
Tutje, u tha se asistencë teknike po ofrohet edhe përmes Projektit të GIZ – Fondi i Hapur Rajonal për Tregtinë e Jashtme (Open Regional Fund for Foreign Trade – ORF FT) si mbështetje për integrimin ekonomik rajonal, ku po vazhdojnë të mbështeten të gjitha shtyllat e Infrastrukturës së Cilësisë (Metrologjia, Standardizimi, Akreditimi), autoriteti rregullator dhe Inspektorati Qendror për Mbikëqyrjen e Tregut në Kosovë.
Në fund Arifaj shprehi falënderimin për ndihmën e vazhdueshme dhe shumë të rëndësishme që Bashkimi Evropian ka ofruar në vazhdimësi në të gjitha fushat për fuqizimin e institucioneve të vendit tonë dhe të sektorit privat.



