Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, bashkë me kryetarin e Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniqi, kanë përuruar zyrën për regjistrim të bizneseve në këtë komunë.
Hapja e kësaj zyre për regjistrimin e bizneseve në kuadër të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve ka ardhur pas kërkesave të shumta nga ana e qytetarëve.
Zëvendësministri Arifaj tha se hapja e kësaj zyre është e 30-ta nëpër komuna që ndihmon dhe lehtëson qytetarët që të bëjnë biznes.
Arifaj ka vizituar edhe dy fabrika në këtë komunë duke parë nga afër veprimtarinë e tyre që është kryesisht eksportuese.
Zëvendësministri vizitoi fabrikën “Safe Cargo Kosovo L.L.C” që prodhon jastëkë të ajrit që numëron mbi 30 punëtorë dhe të gjithë prodhimin e eksporton në vendet e Bashkimit Evropian. Poashtu Arifaj vizitoi edhe fabrikën e prodhimit të thasëve “Birlik” që po ashtu të gjithë prodhimin e ka për eksport. Zëvendësministri u informua për veprimtarinë e këtyre fabrikave dhe vështirësitë që i hasin gjatë rrugës për të ardhur deri tek prodhimi final.
Arifaj tha se ndihma e Qeverisë së Kosovës për bizneset është prioritet, duke ndikuar kështu edhe në zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritjen e numrit të të punësuarve.



