Zëvendësministri Arifaj, gjatë fjalës së tij, vuri në pah angazhimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Kosovë, në veçanti për lehtësirat e krijuara për investitorët potencial në vendin tonë.
Arifaj, me këtë rast sqaroi plotësimet e bëra në kornizën ligjore si dhe politikën industriale, të theksuara edhe në Raportin e Progresit për Kosovën, i publikuar ditëve të fundit nga Komisioni Evropian.
Politika industriale, 16 ligje dhe 35 akte nënligjore për përmirësimin e klimës së të bërit biznes, tashmë janë në fuqi, gjersa disa të tjera politika dhe masa legjislative janë në draftim e sipër, të gjitha këto me qëllimin e përmirësimit të ambientit të të bërit biznes.
Zëvendësministri, poashtu përmendi edhe potencialin që ka dhe përparësitë që ofron vendi ynë në raport me shtetet e rajonit, ku përveç legjislacionit, taksave më të ulëta dhe politikave zhvillimore theksoi edhe kujdesin pasues për çdo investitorë në Republikën e Kosovës.
Zëvendësministri Arifaj, shtoi se Kosova po punon vazhdimisht në zhvillim dhe zgjerim të bashkëpunimit me vendet e Bashkimit Evropian por edhe më gjerë.



