Prishtinë,
23/04/2026
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), me rastin e shënimit të 10-vjetorit të themelimit, organizoi konferencën ndërkombëtare me temën “Roli i financave zhvillimore në tejkalimin e barrierave të rritjes ekonomike”. Në këtë ngjarje u theksua roli i rëndësishëm i FKGK-së në përmirësimin e qasjes në financa dhe zhvillimin e sektorit privat në Kosovë.
Përfaqësues të lartë institucionalë dhe ndërkombëtarë, përfshirë, Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, kryesuesin e Bordit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore Agan Azemi, si dhe Presidentin e AECM-së, Guy Selbherr prezantuan sfidat dhe të arriturat e po ashtu synimet që kanë për vitet në vijim.
Gjatë fjalës së tij, zëvendësministri Mehmeti theksoi rëndësinë e përkrahjes institucionale për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke vënë në pah rolin kyç të skemave të garancisë kreditore në lehtësimin e qasjes në financa dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik. Ai gjithashtu theksoi përkushtimin e Ministrisë për të avancuar politika që mbështesin inovacionin, eksportin dhe rritjen e qëndrueshme.
Konferenca përfshiu disa sesione dhe panele diskutimi me pjesëmarrjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë. U prezantuan analiza mbi financimin e zhvillimit dhe ndikimin e skemave të garancisë kreditore në ekonomi.
Gjatë konferencës u bë e ditur se, përgjatë një dekade operimi, FKGK ka mundësuar mbi 1 miliard euro kredi të garantuara, duke mbështetur rreth 13,000 biznese dhe duke kontribuar në krijimin dhe ruajtjen e mbi 33,000 vendeve të punës në vend.
Pjesëmarrja e zëvendësministrit Mehmeti në këtë konferencë konfirmon angazhimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për të bashkëpunuar ngushtë me institucionet financiare dhe partnerët ndërkombëtarë, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe fuqizimit të sektorit privat në Kosovë.





