Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, ka marrë pjesë në Ditën e Biznesit Kroat në Kosovë, të organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) dhe Ambasada e Kroacisë në Kosovë, ku është diskutuar për rëndësinë e marrëdhënieve dhe partneritetit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.
Mehmeti theksoi se Kosova ofron mundësi për investime, prodhim dhe qasje në tregje të reja, ndërsa aktualisht në vend operojnë 77 biznese kroate. Sipas tij, synimi është që ky numër të rritet dhe bashkëpunimi ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve të thellohet më tej.
Në këtë drejtim, ai veçoi zhvillimin e parqeve industriale dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit si pjesë të punës për krijimin e kushteve më të favorshme për investime afatgjata dhe forcimin e partneritetit me bizneset e huaja.
Zëvendësministri Mehmeti ka falënderuar EIC-në dhe Ambasadën e Kroacisë në Kosovë për organizimin e aktivitetit, si dhe bizneset dhe partnerët kroatë për interesimin dhe kontributin e tyre në forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.