Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, mori pjesë në Konferencën Përmbyllëse të programit AI4Youth, të organizuar me ftesë të The Foundation House.
Gjatë këtij aktiviteti, zëvendësministri Mehmeti pati mundësinë të shohë nga afër idetë, zgjidhjet dhe prototipet e zhvilluara nga të rinjtë në fushën e inteligjencës artificiale, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si dhe zhvillimit të aplikacioneve.
Mehmeti vlerësoi kreativitetin, përkushtimin dhe potencialin e të rinjve pjesëmarrës, duke theksuar se puna dhe rezultatet e tyre dëshmojnë mundësitë që ka Kosova në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Sipas tij, lidhja ndërmjet të rinjve dhe inovacionit është një nga potencialet më të rëndësishme për të ardhmen e vendit, ndërsa zhvillimi i aftësive të të rinjve në fusha si inteligjenca artificiale dhe TIK-u krijon mundësi të reja për zhvillim dhe punësim.
Zëvendësministri Mehmeti uroi të gjithë pjesëmarrësit, mentorët dhe organizatorët për punën e bërë dhe rezultatet e arritura në kuadër të programit AI4Youth.
