Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, iu drejtua pjesëmarrësve të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), i cili po mbahet në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e cilësisë për zhvillimin e bizneseve, rritjen e konkurrueshmërisë dhe zgjerimin e produkteve vendore në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare.
Mehmeti vlerësoi se organizimi i këtij kongresi në Kosovë krijon mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e partneriteteve ndërkombëtare në fushën e cilësisë, ndërmarrësisë dhe inovacionit. Ai theksoi se cilësia është thelbësore për ndërtimin e besimit të konsumatorëve dhe për forcimin e pozitës së bizneseve në treg.
Në kuadër të kongresit po diskutohen tema që lidhen me inteligjencën artificiale, transformimin digjital, inovacionin në biznes dhe aftësitë e së ardhmes, si dhe etika, qëndrueshmëria dhe përmirësimi i shërbimeve publike e shëndetësore.
Mehmeti bëri të ditur se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit po punon në forcimin e infrastrukturës së cilësisë, avancimin e legjislacionit për inovacionin, themelimin e Fondit të Inovacionit, zhvillimin e parqeve industriale dhe mbrojtjen e pronës industriale. Këto angazhime synojnë krijimin e kushteve që idetë dhe krijimtaria të shndërrohen në produkte e shërbime cilësore dhe biznese më konkurruese.
Zëvendësministri falënderoi UBT-në, Organizatën Evropiane për Cilësi dhe Quality Kosova për organizimin dhe bashkëpunimin. Ky edicion shënon edhe 70-vjetorin e EOQ-së dhe 20-vjetorin e Quality Kosova.

