Zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, mori pjesë në Forumin Ekonomik Kosovë–Poloni, ku së bashku me zëvendësministrin Getoar Mjeku diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e prodhimtarisë së avancuar dhe energjisë.
Gjatë prezantimit të tij, zëvendësministri Mehmeti foli për kapacitetet prodhuese të Kosovës dhe për kompanitë vendore që po investojnë në modernizimin e linjave të prodhimit. Ai theksoi se përvoja e këtyre kompanive, së bashku me kapacitetet dhe aftësitë e sektorit të teknologjisë së informacionit, krijon mundësi për bashkëpunim me bizneset polake.
Sipas tij, këto mundësi përfshijnë automatizimin e proceseve të prodhimit dhe zhvillimin e prodhimtarisë së përbashkët për tregjet evropiane.
Mehmeti falënderoi bizneset nga Kosova dhe Polonia për pjesëmarrjen në forum, duke shprehur pritjen që takimet e zhvilluara në kuadër të tij të kontribuojnë në krijimin e partneriteteve dhe realizimin e investimeve të përbashkëta në sektorët e industrisë dhe energjisë.



