Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, mori pjesë në lansimin e raportit “SME Policy Index 2026: Western Balkans and Türkiye”, ku u prezantuan gjetjet mbi zhvillimin e politikave për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi.
Gjatë prezantimit të raportit u vlerësua progresi i Republikës së Kosovës në forcimin e ekosistemit të biznesit, harmonizimin e politikave me standardet evropiane dhe krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e ndërmarrësisë dhe inovacionit.
Raporti evidenton avancimin e Kosovës në hartimin dhe zbatimin e politikave për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke veçuar angazhimin institucional në përmirësimin e klimës së biznesit, promovimin e inovacionit dhe transformimit digjital, mbështetjen e sektorit të NVM-ve, forcimin e konkurrueshmërisë së sektorit privat, si dhe përafrimin e vazhdueshëm me standardet e Bashkimit Evropian dhe OECD-së.
Me këtë rast, zëvendësministri Mehmeti theksoi se gjetjet dhe rekomandimet e raportit do të shërbejnë si udhërrëfyes për reformat e ardhshme, me synim avancimin e mëtejmë të politikave mbështetëse për bizneset dhe krijimin e një mjedisi më konkurrues dhe më të favorshëm për zhvillimin ekonomik të vendit.