IQMT tërheq nga tregu 5,278 njësi të produkteve të qumështit të evidentuara me mospërputhje

Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka vazhduar edhe sot aksionin e inspektimeve në treg, me fokus të veçantë te produktet e qumështit dhe zbatimin e masave për mbrojtjen e konsumatorëve.

Përmes 8 ekipeve të inspektorëve, IQMT ka realizuar kontrolle në marketet e mëdha në regjionet e Mitrovicës, Prizrenit, Pejës, Prishtinës, Lipjanit dhe Shtimes.

Gjatë kontrolleve janë evidentuar 7 produkte me mospërputhje, të përcaktuara në raportet zyrtare të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), të cilat janë gjetur në raftet e operatorëve ekonomikë të inspektuar:

Holla Barista 3.8%, 1 litër;

Crem për pite Bylmeti;

Holla Cooking Crem, 1 litër;

Qumësht My Cow 3.2%, 1 litër;

Mazë tradicionale Drena;

Mazë tradicionale Milket;

Krem për pite Bianco, 700 g.

Duke u bazuar në raportet zyrtare të AUV-së, nr. 4942, datë 27.07.2026, dhe nr. 5203, datë 10.08.2026, nga tregu gjatë ditës së sotme janë tërhequr 5,278 njësi të produkteve të lartcekura.

Gjithashtu, janë urdhëruar qendrat e operatorëve ekonomikë që kanë rrjete marketesh në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës që të largojnë nga shitja produktet e evidentuara në raportet e AUV-së.

IQMT do të vazhdojë monitorimin dhe inspektimin e tregut, ndërsa të gjitha produktet e qumështit për të cilat është evidentuar mospërputhje do të mbeten pjesë e listës së produkteve për tërheqje nga tregu. Lista do të publikohet dhe përditësohet çdo ditë për informimin e konsumatorëve, deri në përditësimin, plotësimin apo ndryshimin e raporteve zyrtare nga ana e AUV-së.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, mbetet e hapur për çdo ankesë apo raportim nga qytetarët që hasin në treg produkte të ndaluara për shitje nga AUV-së.

Ankesat, së bashku me dëshmitë përkatëse, mund të dorëzohen përmes platformës Viber në numrin +383 (0) 46 311-000.

MINTI dhe institucionet përgjegjëse do të vazhdojnë me inspektimet dhe masat e nevojshme, me qëllim të garantimit të sigurisë së konsumatorëve dhe respektimit të rregullave të tregtimit në Republikën e Kosovës

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors