Në Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) u zhvillua takimi i parë i Grupit Punues për rishikimin e Udhëzimit Administrativ (MTI) nr. 01/2018 për ndarjen e mjeteve financiare nga kategoria ekonomike e Subvencioneve dhe Transfereve.
Ministrja Kusari-Lila ka theksuar se ky proces synon të riformësojë qasjen e Ministrisë ndaj subvencioneve dhe granteve, në mënyrë që ato të shërbejnë më mirë për mobilizimin e kapitalit privat dhe nxitjen e investimeve me ndikim në ekonomi.
Në këtë takim i ftuar dhe pjesëmarrës ishte Ministri i Financave, z. Hekuran Murati, i cili ndau pikëpamjet e tij me anëtarët e Grupit dhe prezantoi përpjekjet që po bëhen për avancimin e kornizës ligjore dhe përmirësimin e menaxhimit të kësaj kategorie buxhetore përmes Ligjit të ri për Menaxhimin e Financave Publike.
Ministrja është shprehur se është diskutuar për rëndësinë e lidhjes së skemave të granteve me strategjitë e industrisë dhe tregtisë, thjeshtimin dhe automatizimin e aplikimit, përdorimin e kritereve objektive dhe inteligjencës artificiale në vlerësim, si dhe përfshirjen e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe bankave komerciale, në mënyrë që mbështetja publike të orientohet drejt investimeve që rrisin kapacitetet prodhuese, punësimin dhe eksportet.
Në Grupin Punues janë të përfshirë përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Financave, Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe shoqatave të bizneseve.
Puna do të intensifikohet gjatë javëve në vijim, me synim finalizimin e draftit brenda muajit shtator dhe vendosjen e themeleve për një qasje të re dhe më efikase për mbështetjen e bizneseve.



