Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kroacisë në Kosovë, në prag të Ditës së Biznesit Kroat në Kosovë.
Në aktivitet kanë marrë pjesë përfaqësues të komuniteteve të biznesit të Kosovës dhe Kroacisë, përfshirë ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq, dhe drejtorin ekzekutiv të Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani.
Gjatë aktivitetit është diskutuar për marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, si dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit dhe rritjes së investimeve.
Aktualisht, në Kosovë operojnë 77 biznese kroate. Sipas ministres Kusari-Lila, përmes aktiviteteve të përbashkëta promovuese dhe krijimit të mundësive të reja për investime synohet që ky numër të rritet më tej.
Eksportet e Kosovës drejt Kroacisë janë rritur me 17 për qind krahasuar me vitin paraprak, ndërsa importet kanë shënuar rënie prej 11 për qind. Megjithatë, bilanci tregtar mes dy vendeve vazhdon të jetë në deficit për Kosovën, duke lënë hapësirë për rritjen e eksporteve kosovare dhe për një shkëmbim më të balancuar tregtar.
Kusari-Lila ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, të cilat, përveç bashkëpunimit ekonomik, janë të ndërtuara edhe mbi lidhje historike dhe mbështetjen e Kroacisë për Kosovën në proceset e çlirimit, shtetndërtimit dhe rrugëtimit evropian.
Sipas saj, zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik me Kroacinë kontribuon në forcimin dhe qëndrueshmërinë e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
