Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim një delegacion të Bankës Botërore, të përbërë nga Simon Carl O’Meally, Lindita Lepaja dhe Fjolla Restelica Ahmeti, me të cilët diskutoi për përshpejtimin e transformimit digjital dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale në Kosovë.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e reja për bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe avancimin e agjendës digjitale, me fokus në përdorimin e teknologjive të reja në funksion të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik.
Një nga fushat e rëndësishme të diskutimit ishte fillimi i punës për ndërtimin e kornizës ligjore dhe rregullative për integrimin e inteligjencës artificiale në shërbimet publike, përfshirë ato të ofruara nga MINTI. Krijimi i kësaj kornize synon të vendosë një bazë të qëndrueshme për përdorimin e AI-së dhe teknologjive të reja në mënyrë të sigurt dhe efikase.
Në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit në zhvillimin e infrastrukturës së avancuar digjitale, digjitalizimin e industrisë përmes eko-parqeve teknologjike, programet e aftësimit profesional në sistemin arsimor, si dhe sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave digjitale.
Këto fusha janë pjesë e angazhimeve të Ministrisë, ndërsa puna në këtë drejtim pritet të intensifikohet me funksionalizimin e Agjencisë së re për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe krijimin e Fondit të Inovacionit.
Përmes Fondit të Inovacionit synohet mbështetja e startup-eve dhe nismave të tjera inovative që kontribuojnë në transformimin e ekonomisë dhe në krijimin e produkteve, shërbimeve dhe mundësive të reja për zhvillim.
Ministrja Kusari-Lila vlerësoi se bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë, si Banka Botërore, është i rëndësishëm për avancimin e kësaj agjende dhe për krijimin e një ekonomie ku teknologjia, inovacioni dhe ndërmarrësia kontribuojnë në krijimin e më shumë vendeve të punës dhe në rritjen ekonomike të Kosovës.