Kompania “Electro Plus” ka hapur fabrikën e saj për prodhimin e transformatorëve elektrikë në Zubin Potok, duke zhvendosur aktivitetin që më parë e zhvillonte në Vushtrri dhe duke zgjeruar kapacitetet e saj prodhuese.
Në lokacionin e ri, përveç prodhimit të transformatorëve elektrikë, kompania do të realizojë edhe testimin dhe certifikimin e tyre përmes teknologjisë së avancuar.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në hapjen e fabrikës, duke e vlerësuar investimin si një zhvillim të rëndësishëm për ekonominë lokale dhe prodhimin vendor.
Kusari-Lila theksoi se pas forcimit të rendit dhe ligjit, sigurisë dhe pranisë institucionale të Republikës së Kosovës, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik përbën një hap të rëndësishëm për këtë pjesë të vendit.
Ajo tha se hapja e fabrikës është një lajm i mirë për qytetarët e zonës, veçanërisht pasi shumica e të punësuarve pritet të jenë banorë lokalë. Sipas saj, krijimi i vendeve të punës dhe përfshirja e qytetarëve në aktivitetin ekonomik përbëjnë një nga mënyrat më të mira për integrimin e tyre në jetën shoqërore dhe ekonomike dhe për krijimin e mundësive për një jetë më të mirë.
Ministrja Kusari-Lila përgëzoi pronarët e kompanisë, Ferdane dhe Hetem Terllabuqin, për vizionin, punën dhe investimin e tyre, duke vlerësuar kontributin e tyre në krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik.
Nga vizita e mëparshme e ministres në këtë kompani, gjatë përgatitjeve për investimin në muajin maj, deri në hapjen zyrtare të fabrikës, investimi ka kaluar në fazën e realizimit dhe tashmë pritet të japë kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen e prodhimit vendor, uljen e importeve dhe rritjen e potencialit eksportues.
Prodhimi i transformatorëve në Republikën e Kosovës kontribuon gjithashtu në fuqizimin e kapaciteteve të industrisë vendore dhe të infrastrukturës energjetike, duke mundësuar që produkte të tilla të prodhohen, testohen dhe certifikohen në vend.
“Electro Plus” aktualisht punëson 23 punëtorë, ndërsa kompania është në proces të zgjerimit të stafit dhe synon që numri i të punësuarve të arrijë në 45 në ditët në vijim.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit mbetet e përkushtuar për mbështetjen e bizneseve që investojnë në prodhim, krijojnë vende të reja pune dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, me synim që mundësitë për punësim dhe zhvillim të shtrihen në të gjitha pjesët e Republikës së Kosovës