Ministrja Kusari-Lila: Mbështetja për bizneset dhe kujdesi familjar duhet të ecin krah për krah

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka diskutuar për rëndësinë e krijimit të vendeve të punës që mbështesin punonjësit dhe fuqizojnë bizneset, në një takim të organizuar nga Kosova CSR Network, së bashku me drejtoreshën ekzekutive të këtij rrjeti, Zana Bajrami Rama.

Gjatë diskutimit, ministrja Kusari-Lila tha se suksesi profesional dhe jeta familjare duhet të ecin paralelisht, ndërsa zhvillimi nuk duhet të matet vetëm përmes arritjeve në punë, por edhe përmes mundësisë për të ruajtur kohën dhe përkushtimin ndaj familjes.

Ajo ka përmendur angazhimin e Qeverisë së Kosovës gjatë pesë viteve të fundit për krijimin e skemave mbështetëse për gratë, të rinjtë dhe fëmijët. Sipas saj, zgjerimi i rrjetit të kopshteve dhe planifikimi për zhvillimin e institucioneve të kujdesit për të moshuarit mund të ndihmojnë në lehtësimin e barrës së kujdesit familjar, e cila shpesh i kufizon mundësitë e grave për pjesëmarrje në tregun e punës.

Ministrja Kusari-Lila tha se se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përmes skemave të granteve dhe programeve mbështetëse, po u krijon bizneseve mundësi për zhvillim, digjitalizim, inovacion dhe zgjerim në tregje të reja. Këto masa, sipas saj, kontribuojnë edhe në krijimin e modeleve më fleksibile të punës dhe në përmirësimin e balancës mes angazhimeve profesionale dhe jetës familjare.

Ajo ka bërë të ditur se MINTI do të vazhdojë dialogun me bizneset për të identifikuar nevojat dhe sfidat e tyre, me qëllim që politikat dhe programet mbështetëse të jenë konkrete dhe t’u përgjigjen sa më mirë kërkesave të tyre.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors