Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në lansimin e Forumit të Biznesit Mbretëri e Bashkuar–Kosovë, një iniciativë që synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe investues ndërmjet dy vendeve.
Me këtë rast, ministrja Kusari-Lila theksoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet një nga partnerët më të afërt dhe më të besueshëm të Kosovës, ndërsa Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e vitit 2021 ka krijuar mundësi të reja për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.
Ajo nënvizoi se MINTI mbetet e përkushtuar në krijimin e një mjedisi konkurrues për bizneset, promovimin e investimeve, nxitjen e inovacionit dhe mbështetjen e ndërmarrjeve vendore në tregjet ndërkombëtare.
Ministrja tha se Kosova ofron kushte të favorshme për investitorët e huaj, falë fuqisë së re punëtore dhe potencialit në sektorët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, prodhimit, energjisë së ripërtëritshme, agrobiznesit dhe industrive kreative.
Duke prezantuar të dhënat ekonomike, ajo bëri të ditur se gjatë vitit 2025 eksportet e mallrave drejt Mbretërisë së Bashkuar janë rritur për 81 për qind, ndërsa ky trend pozitiv ka vazhduar edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Po ashtu, investimet e huaja direkte nga Mbretëria e Bashkuar arritën në 24 milionë euro gjatë vitit 2025, ndërsa në Kosovë aktualisht operojnë 246 kompani me kapital britanik.
Sipas Kusari-Lilës, Forumi i Biznesit Mbretëri e Bashkuar–Kosovë do të shërbejë si një platformë për krijimin e partneriteteve të reja, shkëmbimin e ekspertizës dhe identifikimin e mundësive të reja të bashkëpunimit, me synimin për të rritur investimet, eksportet, punësimin dhe integrimin e bizneseve kosovare në zinxhirët ndërkombëtarë të vlerës.
Në përfundim, ministrja shprehu mirënjohje për Këshillin e Investitorëve Evropianë, drejtorin ekzekutiv Emrush Ujkani, si dhe Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe ambasadorin Jonathan Hargreaves për mbështetjen në themelimin e kësaj platforme të bashkëpunimit ekonomik.