Ministrja Kusari-Lila: MINTI do të rrisë numrin e inspektorëve të tregut në 43 gjatë muajit gusht, synimi është 100 deri në fund të vitit

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar se mbrojtja e konsumatorëve mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë, duke bërë të ditur se MINTI po ndërmerr hapa konkretë për forcimin e kapaciteteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT).

Sipas ministres, duke filluar nga muaji gusht, numri i inspektorëve të IQMT-së do të rritet nga 25 në 43, ndërsa synimi është që deri në fund të vitit ky kapacitet të arrijë në 100 inspektorë të tregut, me qëllim të garantimit të një mbrojtjeje edhe më efektive të qytetarëve nga manipulimet, mashtrimet dhe shkeljet në treg.

Me këtë rast, ministrja Kusari-Lila falënderoi inspektorët e IQMT-së për përkushtimin dhe angazhimin e tyre, veçanërisht gjatë periudhës së fundit, kur është zhvilluar një numër i madh inspektimesh dhe aksionesh në terren.

Gjatë kësaj periudhe, IQMT ka realizuar një sërë aktivitetesh mbikëqyrëse, përfshirë kontrollin e zbatimit të vendimit për shitjen e derivateve të naftës, inspektimin e njehsorëve elektrikë, kontrollin e etiketimit dhe vendosjes së produkteve të qumështit me bazë bimore dhe shtazore në markete, inspektimet ndaj bizneseve të kriptovalutave dhe këmbimoreve që ushtrojnë veprimtari pa licencë, aksionet për parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te të miturit, si dhe inspektime të përbashkëta me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe institucionet e tjera përkatëse.

Ministrja Kusari-Lila theksoi se inspektimet do të vazhdojnë çdo ditë, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe zbatimit të ligjit.

Në përfundim, ajo shprehu mirënjohje për punën e inspektorëve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, duke vlerësuar profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin e tyre në mbrojtjen e interesit publik dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors