Ministrja Kusari-Lila mori pjesë në hapjen e Panairit të Gruas, riafirmon mbështetjen për gratë ndërmarrëse

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në hapjen solemne të Panairit të Gruas, të organizuar nga Shoqata e Grave Ndërmarrëse pranë Odës Ekonomike të Kosovës.

Ky aktivitet mblodhi rreth 50 organizata dhe biznese të drejtuara nga gra ndërmarrëse, duke dëshmuar potencialin, kreativitetin dhe përkushtimin e grave të Kosovës dhe rajonit. Panairi krijoi një hapësirë për promovimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe partnerëve zhvillimorë.

Me këtë rast, ministrja Kusari-Lila theksoi se mbështetja për gratë ndërmarrëse mbetet një nga prioritetet e politikave të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

Ajo nënvizoi se, përmes skemave të granteve, mekanizmave të financimit dhe krijimit të Divizionit të veçantë për Gratë Ndërmarrëse në kuadër të Agjencisë për Ndërmarrësi dhe Inovacion, MINTI synon të ofrojë mbështetje konkrete për zhvillimin e bizneseve të grave dhe të inkurajojë gjithnjë e më shumë vajza të ndjekin rrugën e ndërmarrësisë.

Ministrja rikujtoi se, pas konferencës së mbajtur në muajin qershor për gratë ndërmarrëse, me pjesëmarrjen e rreth 300 bizneseve, si dhe përmes skemës së granteve për gratë ndërmarrëse dhe përparësisë së dhënë bizneseve me gra aksionare, angazhimi institucional në këtë drejtim do të vazhdojë.

Në këtë kuadër, ajo bëri të ditur se gjatë muajit gusht do të organizohet një tjetër panair për gratë ndërmarrëse, ndërsa në vjeshtë do të mbështetet organizimi i Konferencës Rajonale për Gratë Ndërmarrëse, me qëllim të ndarjes së përvojave dhe krijimit të partneriteteve të reja ndërmjet bizneseve në pronësi të grave. Paralelisht, Ministria do të vazhdojë të zhvillojë politika që fuqizojnë rolin e grave në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministrja Kusari-Lila theksoi se zhvillimi i bizneseve të grave krijon mundësi të reja për familjen, komunitetin dhe ekonominë e vendit.

Panairi i Gruas, i vendosur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, do të jetë i hapur edhe gjatë ditës së nesërme, duke u ofruar qytetarëve mundësinë të mbështesin gratë ndërmarrëse dhe të njihen me produktet e tyre bio dhe vendore.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors