Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila priti në takim ambasadoren e Kanadasë, Jessica Blitt, ku u diskutua për përmirësimin e bilancit tregtar përmes mbështetjes së bizneseve vendore dhe krijimit të kushteve më të favorshme për investitorët, si dhe për zgjerimin e prodhimit vendor dhe rritjen e eksporteve si hapa të rëndësishëm drejt një ekonomie më të qëndrueshme dhe konkurruese.
Gjatë takimit u trajtua edhe çështja e ngritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe forcimit të kapaciteteve institucionale ndërmjet dy shteteve, me synim thellimin e partneritetit bilateral dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset.
Në fokus të bisedës ishin gjithashtu inovacioni dhe tranzicioni i gjelbër, me theks të veçantë në zhvillimin e zonave industriale. U vlerësua se investimi në teknologji të pastra dhe në modele të qëndrueshme prodhimi kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e konkurrueshmërisë dhe përputhshmërisë me standardet evropiane.
Po ashtu, u nënvizua rëndësia e fuqizimit ekonomik të grave si garanci për zhvillim gjithëpërfshirës. Mbështetja e grave në ndërmarrësi dhe në tregun e punës u vlerësua jo vetëm si çështje e barazisë, por edhe si faktor i rëndësishëm për rritje konkrete ekonomike në vend.

