Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim Drejtoreshën për Zgjerim dhe Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Valentina Superti, me të cilën diskutoi për prioritetet e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, me theks të veçantë në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe avancimin e zhvillimit ekonomik të vendit.
Gjatë takimit, ministrja Kusari-Lila prezantoi progresin e arritur nga MINTI në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zbatimin e reformës në administratën publike, si pjesë e përpjekjeve për ndërtimin e institucioneve më efikase dhe më të përgjegjshme. Ajo njoftoi gjithashtu për ecurinë e Projektligjit për Ndërmarrësi dhe Inovacion, si dhe Projektligjit për Kamatvonesat, të cilat pritet të krijojnë bazën për reforma të rëndësishme në mbështetje të sektorit privat.
Në takim u diskutua edhe për themelimin e Fondit të Inovacionit, krijimin e skemave të reja mbështetëse për gratë ndërmarrëse, startup-et dhe inovatorët, me synim zhvillimin e ekosistemit të ndërmarrësisë dhe inovacionit në Kosovë.
Po ashtu, bashkëbisedueset trajtuan barrierat tregtare me Serbinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim krijimin e një tregu më funksional, më të integruar dhe më konkurrues.
Pjesë e diskutimit ishte edhe tranzicioni i gjelbër, zhvillimi i parqeve eko-industriale dhe fuqizimi i grave në biznes përmes nismave konkrete, përfshirë konferencën “She Rises 2026” dhe krijimin e një njësie të veçantë në kuadër të agjencisë së re për ndërmarrësi, e cila do t’i dedikohet mbështetjes së grave ndërmarrëse.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me Komisionin Evropian mbetet i një rëndësie të veçantë për avancimin e reformave, rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe përshpejtimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian