Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në një bashkëbisedim me përfaqësues të kompanive kosovare të sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), në kuadër të iniciativës UK–Kosovo Tech Hub, e lansuar më 25 qershor në Tech Park Prishtina.
Në takim morën pjesë edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, si dhe përfaqësues të kompanive kosovare që tashmë operojnë në tregun britanik dhe në tregje të tjera ndërkombëtare. Përvojat dhe sfidat e tyre i prezantuan Behar Fazliu (Arcus), Alban Sahiti (Tenton), Florim Shala (Kosbit), Erion Vrella (Gen Z Digital) dhe Erblina Idrizi (Imbus Peja).
Gjatë diskutimit u trajtuan zhvillimet në sektorin e TIK-ut në Kosovë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, sfidat e depërtimit në tregjet ndërkombëtare, gjenerimi i klientëve, inteligjenca artificiale, siguria kibernetike, zhvillimi i talenteve, arsimi dhe rëndësia e mbështetjes institucionale për industrinë.
Në takim u theksua se kompanitë kosovare tashmë bashkëpunojnë me kompani të mëdha ndërkombëtare dhe ofrojnë shërbime në tregje si Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera. Po ashtu, u vlerësua se promovimi i Kosovës si një destinacion i sigurt për investime dhe inovacion është thelbësor për krijimin e partneriteteve të reja dhe zgjerimin e pranisë së kompanive vendore në tregjet globale.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se UK–Kosovo Tech Hub është krijuar për të shërbyer si një platformë që lidh bizneset, fuqizon rrjetëzimin dhe promovon potencialin e Kosovës në tregun global të teknologjisë, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi me kompanitë britanike.
Ajo bëri të ditur se hapat e parë konkretë të kësaj nisme do të realizohen gjatë muajve shtator dhe tetor, përmes dy misioneve tregtare B2B në Londër dhe Prishtinë, të cilat do t’u mundësojnë kompanive kosovare të TIK-ut të krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me partnerë potencialë nga Mbretëria e Bashkuar.
Ministrja rikujtoi gjithashtu se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor (LuxDev), ka lansuar së fundmi skemën e granteve për inovacion në sektorin e TIK-ut, me një fond prej 1.16 milionë euro, me qëllim mbështetjen e rritjes së kapaciteteve dhe zhvillimit të inovacionit në kompanitë vendore.