Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë sot në konferencën e organizuar nga Instituti GAP, ku u prezantua raporti “Politikat Industriale të Gjelbra”.
Në këtë ngjarje, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe drejtorin ekzekutiv të Institutit GAP, Blendi Hasaj, u diskutuan sfidat dhe mundësitë që lidhen me tranzicionin e gjelbër, si dhe hapat institucionalë për sigurimin e energjisë së qëndrueshme dhe rritjen e prodhimit nga burimet e ripërtëritshme, si parakusht për zhvillimin industrial të vendit.
Ministrja Kusari-Lila prezantoi prioritetet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) në këtë drejtim, duke përfshirë marrëveshjen pesëvjeçare me Qeverinë Zvicerane, mbështetjen për bizneset përmes granteve të LuxDev dhe SDC-së, si dhe lehtësimin e qasjes në financa përmes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.
Gjatë diskutimit, vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimit të parqeve industriale të gjelbra dhe promovimit të ekonomisë qarkore.
Eco Parku i parë pritet të ndërtohet në Gjakovë, ku pronat tashmë janë bartur në MINTI, ndërsa paralelisht po punohet në funksionalizimin e parqeve industriale në 12 komuna të vendit.
Po ashtu, u trajtua rëndësia e avancimit të infrastrukturës së cilësisë, njohjes së certifikatave në tregun e Bashkimit Evropian, forcimit të arsimit dual dhe përgatitjes së bizneseve për zbatimin e mekanizmit CBAM, me synimin që produktet “Made in Kosova” të jenë më konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se tranzicioni i gjelbër nuk është më vetëm një zgjedhje, por një domosdoshmëri, duke nënvizuar nevojën për përshpejtimin e reformave dhe investimeve që forcojnë konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe rrisin potencialin eksportues të Kosovës.