Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, vizitoi kompaninë e kafesë “Bottem” në Brestovik të Pejës, ku u prit nga pronari i saj, Aron Berani.
Gjatë vizitës, ministrja Kusari-Lila vlerësoi zhvillimin dhe rritjen e vazhdueshme të këtij biznesi vendor, i cili operon në sektorin e prodhimit të kafesë turke dhe espresso dhe tashmë ka arritur të shtrijë produktet e tij në tregun e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Fabrika, e cila ka filluar operimin para një viti dhe tashmë po hyn në vitin e dytë të punës, aktualisht ka të punësuar 15 punëtorë, përfshirë gra dhe pjesëtarë të komuniteteve minoritare, duke reflektuar përkushtim ndaj gjithëpërfshirjes dhe mundësive të barabarta në punësim.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se zhvillimi i bizneseve të tilla vendore është i rëndësishëm për forcimin e ekonomisë dhe rritjen e prodhimit vendor, duke vlerësuar investimin e bërë në cilësi dhe standarde të prodhimit.
Pronari i kompanisë, Aron Berani, prezantoi kapacitetet e fabrikës dhe laboratorin për testimin e cilësisë së kafesë, i cili shërben për garantimin e standardit dhe cilësisë për konsumatorët.
Ministrja bëri të ditur se me pronarin e kompanisë është takuar edhe më herët në MINTI, ku i është ofruar mbështetje institucionale për zhvillimin e mëtejmë të biznesit.
Ajo theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat mbetet një element i rëndësishëm për forcimin e ekonomisë së vendit dhe krijimin e kushteve më të mira për bizneset prodhuese në Kosovë.