Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, vizitoi kompaninë vendore “Passable”, e themeluar në Prishtinë në vitin 1992, e cila për më shumë se tri dekada vepron në distribuimin e produkteve ushqimore, higjienike dhe kozmetike në tregun e Kosovës.
Gjatë vizitës, ministrja Kusari-Lila u njoh nga afër me veprimtarinë e kompanisë, zhvillimin e saj dhe kontributin në ekonominë vendore. “Passable” aktualisht punëson mbi 150 punëtorë dhe, nën udhëheqjen e Refki Havollit, me mbështetjen e Muhamet dhe Ardian Havollit, përfaqëson një shembull të ndërmarrjes vendore që investon, krijon vende pune dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit.
Gjatë takimit u diskutua edhe për nevojën që bizneset të operojnë në një mjedis me rregulla të qarta, disiplinë financiare dhe klimë të parashikueshme të të bërit biznes.
Në këtë drejtim, ministrja Kusari-Lila theksoi rëndësinë e miratimit të Ligjit për Kamatëvonesat, të cilin Ministria synon ta procedojë për miratim me prioritet. Ligji synon të parandalojë vonesat e pajustifikuara në pagesa dhe të përcaktojë afate të qarta të pagesave ndërmjet bizneseve, duke kontribuar në forcimin e disiplinës financiare në treg.
Përmes këtij ligji synohet gjithashtu të zvogëlohet rreziku i problemeve të likuiditetit dhe falimentimeve që mund të shkaktohen nga mosarkëtimi në kohë i detyrimeve financiare.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se bizneset vendore janë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës dhe se institucionet do të vazhdojnë të punojnë në krijimin e politikave dhe mekanizmave që u ofrojnë atyre më shumë siguri, konkurrueshmëri dhe hapësirë për investim e rritje.
Ajo vlerësoi se forcimi i besimit dhe krijimi i kushteve të qëndrueshme për zhvillimin e bizneseve vendore nënkupton forcimin e vetë ekonomisë së Kosovës.


