Ministrja Mimoza Kusari-Lila ka marrë pjesë në panelin përmbyllës, bashkë me gra ndërmarrëse, diplomate dhe inovatore, në konferencën “Partneritet për Ndryshim – Gratë që Transformojnë Sistemet”, me ftesë të Fondacionit Jahjaga.
Ajo ka potencuar se 14 vite më parë, në vitin 2012, Presidentja Atifete Jahjaga e vendosi fuqizimin e grave në një agjendë të rëndësishme institucionale dhe ndërkombëtare të Kosovës, duke kujtuar se në shkurt të atij viti u miratua Plani i parë Kombëtar i Veprimit për zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së “Gratë, Paqja dhe Siguria”, ndërsa në tetor, Presidentja Jahjaga organizoi në Prishtinë Samitin Ndërkombëtar të Grave “Partneriteti për Ndryshim – Fuqizimi i Grave”, duke mbledhur mbi 200 lidere nga Kosova dhe bota. Nga ky samit dolën Parimet e Prishtinës, që afirmuan të drejtën e grave për pjesëmarrje të plotë dhe të barabartë në vendimmarrje, siguri dhe zhvillim ekonomik.
Ministrja Kusari-Lila ka theksuar se sot, 14 vite më vonë, ishte kënaqësi të marrë pjesë në panelin përmbyllës, bashkë me gra ndërmarrëse, diplomate dhe inovatore, në konferencën “Partneritet për Ndryshim – Gratë që Transformojnë Sistemet”, me ftesë të Fondacionit Jahjaga.
Ajo ka shtuar se në kohën e ndryshimeve të shpejta teknologjike, ruajtja e vlerave humane, adaptimi i sistemeve dhe krijimi i zgjidhjeve mbi parimet e barazisë dhe sigurisë mbeten bosht i veprimit tonë si vendimmarrëse, ndërmarrëse dhe inovatore.
Për mbështetjen dhe fuqizimin e grave, ministrja ka bërë të ditur se në MINTI dhe në Qeverinë e Kosovës, vendimet dhe veprimet tona synojnë lehtësimin e barrës sociale për gratë dhe burrat, por edhe vendosjen e masave afirmative që krijojnë më shumë mundësi për gratë në ndërmarrësi.
Sipas ministres është krijuar një Divizioni i veçantë për Gratë Ndërmarrëse në kuadër të Agjencisë së re, te promovimi dhe prezantimi i bizneseve të grave përmes platformës “She Rises”, e deri te mbështetja financiare dhe shërbimet profesionale, qëllimi është i njëjtë: të krijojmë kushte që gratë jo vetëm të hyjnë në ekonomi, por të kenë hapësirë për të udhëhequr, inovuar dhe krijuar vende të reja pune.
Duke vlerësuar, ajo ka thënë se lidershipi nuk matet vetëm me pozitën që mban, por me peshën e vizionit dhe përkushtimin për ta shtyrë përpara një agjendë që është më e madhe se një mandat.
Ajo tha se këtë agjendë duhet ta mbajmë aktive, ta zhvillojmë dhe ta çojmë më tej, duke e apostrofuar “Jo në periferi të zhvillimit, por në zemër të tij”.

