MINTI identifikon mundësi të reja për përdorimin efikas të burimeve në industri

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) organizoi punëtorinë “Nga Studimi në Veprim – Simbioza Industriale dhe Ekonomia Qarkore”, me qëllim prezantimin, diskutimin dhe validimin e gjetjeve të studimit “Hartëzimi i Simbiozave Industriale në Kosovë – Analiza Ekonomike dhe Fizibiliteti”.

Studimi është realizuar me mbështetjen e projektit të LuxDev “Rritje e Qëndrueshme dhe Gjithëpërfshirëse në Kosovë” dhe paraqet mundësi konkrete për zhvillimin e simbiozës industriale dhe përdorimin më efikas të burimeve në Kosovë.

Në punëtori morën pjesë Shefi i Kabinetit të MINTI-t, Rinor Beka, Drejtoresha e Departamentit të Industrisë, Valbone Dushi, Përfaqësuesi Rezident i LuxDev në Kosovë, Giovanni Tordini, si dhe përfaqësues të institucioneve publike, shoqatave të biznesit, sektorit privat dhe partnerëve zhvillimorë. Pjesë e aktivitetit ishte edhe ekipi hartues i studimit nga Civitta dhe Riinvest.

Gjatë punëtorisë u diskutua koncepti i simbiozës industriale dhe mundësitë që ai ofron për ekonominë e Kosovës. Simbioza industriale nënkupton përdorimin e mbetjeve, nënprodukteve dhe burimeve të papërdorura të një biznesi si burime dhe inpute për një proces tjetër industrial, duke krijuar lidhje dhe bashkëpunim më të madh ndërmjet bizneseve.

Studimi ka identifikuar mundësi konkrete për krijimin e këtyre lidhjeve, veçanërisht në sektorët e plastikës, tekstilit, metaleve, agro-përpunimit dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua hapave të ardhshëm dhe mënyrës se si këto mundësi mund të shndërrohen në iniciativa dhe projekte konkrete. Pjesëmarrësit diskutuan se cilat fusha duhet të kenë prioritet, cilat iniciativa duhet të nisin fillimisht dhe si mund të zhvillohen projekte pilot që do të mundësonin zbatimin praktik të gjetjeve të studimit.

Kontributi i përfaqësuesve të institucioneve, bizneseve dhe partnerëve zhvillimorë ndihmoi në validimin e gjetjeve të studimit, përcaktimin e prioriteteve dhe identifikimin e hapave konkretë për avancimin e simbiozës industriale në Kosovë.

Zhvillimi i simbiozës industriale krijon mundësi për përdorim më efikas të burimeve, reduktim të mbetjeve, ulje të kostove, zhvillim të inovacionit dhe krijim të mundësive të reja për investime. Në të njëjtën kohë, ai mund të kontribuojë në rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe në kalimin gradual drejt një ekonomie më qarkore dhe të qëndrueshme.

MINTI do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët institucionalë, komunitetin e biznesit, sektorin privat dhe partnerët zhvillimorë për t’i kthyer gjetjet e studimit në veprime konkrete dhe projekte pilot, me synim zhvillimin e një industrie më të gjelbër, më efikase dhe më konkurruese.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors