Në mbledhjen e tretë, të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë miratuar tri propozime të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), të cilat i ka prezantuar zëvendësministri i kësaj ministrie, Fatban Bunjaku, që lidhen me eliminimin e barrierave tregtare, themelimin e parqeve industriale dhe zbatimin e politikave për zhvillimin industrial dhe mbështetjen e biznesit.
Në kuadër të Programit për Eliminimin e Barrierave Tregtare 2021–2025, është miratuar Draft-Raporti Vjetor për vitet 2024/2025, i cili paraqet progresin në shqyrtimin e legjislacionit dhe identifikimin e barrierave të pajustifikuara për tregtinë.
Në kuadër të këtij procesi, gjatë vitit 2021 janë shfuqizuar dhe anuluar 248 akte juridike të paharmonizuara, ndërsa gjatë viteve 2022–2025 janë shqyrtuar dhjetëra akte ligjore, me rekomandime për ndryshimin, plotësimin ose shfuqizimin e dispozitave që krijojnë barriera për tregtinë.
Procesi synon harmonizimin gradual të legjislacionit të Kosovës me rregullat e Bashkimit Evropian dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë të mallrave.
Gjithashtu, në mbledhjen e Qeverisë është miratuar Projekt-Udhëzimin Administrativ për përcaktimin e procedurës së themelimit të Parqeve Industriale dhe Teknologjike.
Akti, që nxirret në zbatim të Ligjit Nr. 08/L-208 për Parqet Industriale dhe Teknologjike, përcakton procedura më të qarta dhe transparente për themelimin e këtyre parqeve.
Krijimi i një kuadri të standardizuar do të kontribuojë në zhvillimin e infrastrukturës industriale dhe teknologjike, përmirësimin e klimës së investimeve dhe krijimin e kushteve më të favorshme për prodhimin, inovacionin, eksportet dhe investimet vendore e të huaja.
Njëkohësisht është miratuar edhe Plani i Veprimit 2026–2028 i Strategjisë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030, të hartuar nga MINTI në bashkëpunim me institucionet relevante dhe sektorin privat.
Plani përfshin 67 aktivitete në fushën e rregullimit, stimujve qeveritarë, ndërhyrjeve informative dhe menaxhimit të pronësisë publike, me fokus në zgjerimin e prodhimit industrial, zvogëlimin e deficitit tregtar industrial, krijimin e punësimit më të mirë dhe gjithëpërfshirës, zhvillimin e industrisë së gjelbër dhe rritjen e vlerës së brendshme.
Një prioritet i veçantë është zhvillimi i parqeve industriale moderne, qasja më e mirë në financa për prodhuesit me potencial eksportues, zhvillimi i kapitalit njerëzor, digjitalizimi dhe investimet në teknologji të gjelbra.
Tri nismat e miratuara përbëjnë pjesë të punës së MINTI-t për krijimin e një mjedisi më të favorshëm për bizneset, rritjen e prodhimit vendor dhe konkurrueshmërisë së industrisë, si dhe për përafrimin gradual të politikave dhe legjislacionit të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian.