Në ambientet e Kolegjit “AAB”, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministra të linjës, ambasadorë, profesorë dhe studentë, mori pjesë në edicionin e “Tech & AI Summit 2026”.
Në kuadër të samitit u diskutua për mundësitë që sjellin inteligjenca artificiale, transformimi digjital, siguria kibernetike dhe teknologjitë e reja për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Ministrja Kusari-Lila theksoi rëndësinë e sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, i cili përfaqëson një nga sektorët me potencialin më të madh për rritje ekonomike, zhvillim të inovacionit dhe krijim të vendeve të punës me vlerë të lartë.
Në këtë drejtim, ajo vlerësoi se një nga përparësitë më të mëdha të Kosovës është popullsia e re dhe talenti i të rinjve në fushën e teknologjisë, të cilët përbëjnë një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.
Për fuqizimin e sektorit të teknologjisë dhe mbështetjen e bizneseve që veprojnë në këtë fushë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe LuxDev, ka lansuar skemën e granteve në vlerë prej 1.6 milionë eurosh.
Skema synon të lehtësojë qasjen e bizneseve në financim dhe të mbështesë zhvillimin e tyre, duke krijuar mundësi për rritjen e kapaciteteve dhe avancimin e aktiviteteve në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit.
Gjatë samitit u diskutua edhe për sfidat dhe mundësitë që sjellin zhvillimet e shpejta teknologjike, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, akademisë dhe sektorit privat në përgatitjen e Kosovës për ekonominë e së ardhmes.
Një moment i veçantë i aktivitetit ishte edhe nderimi nga Kolegji “AAB” me titullin “Doctor Honoris Causa” për Rudolf Scharping, ish-ministër federal i Mbrojtjes së Gjermanisë, për angazhimin e tij gjatë luftës në Kosovë.

