Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë Metrologjike të Kosovës (AMK), po vazhdon planin e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të mbrojtjes së interesave dhe të drejtave të konsumatorëve.
Sot, në Komunën e Gjakovës, përfaqësuesit e AMK-së, së bashku me këshilltarët politikë të Ministres Mimoza Kusari-Lila, vizituan KRU “Gjakova“ dhe Ndërmarrjen Publike “Ngrohtorja e Qytetit“.
Gjatë takimeve me kryeshefat e dy ndërmarrjeve, z. Hasan Krasniqi nga KRU “Gjakova“ dhe z. Blerim Halilaj nga “Ngrohtorja e Qytetit“, u diskutua për bashkërendimin institucional në procesin e verifikimit të ujëmatësve dhe njehsorëve termikë, me qëllim që të sigurohet matje e saktë dhe të parandalohet çdo dëmtim i mundshëm i konsumatorëve.
KRU “Gjakova“ furnizon me ujë mbi 54 mijë familje dhe institucione, ndërsa “Ngrohtorja e Qytetit“ ofron shërbime të ngrohjes për mbi 700 konsumatorë.
Për KRU “Gjakova“ do të shqyrtohet mundësia e riaktivizimit të laboratorit për përgatitjen, servisimin dhe testimin e ujëmatësve, ndërkaq për “Ngrohtoren e Qytetit“ do të shqyrtohet mundësia e zgjatjes së afatit të vlefshmërisë së matësve të energjisë termike, në përputhje me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.
Ky bashkëpunim synon të garantojë matje të sakta, transparencë në faturim dhe mbrojtje më të madhe të konsumatorëve, që marrin shërbime nga ndërmarrjet publike.

