Zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Jeton Mehmeti, ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, përfaqësues të Këshillit të Investitorëve Evropianë, kompani sllovene që operojnë në Kosovë dhe përfaqësues të bizneseve vendore.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, rolin e investimeve të huaja në zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe mundësitë për krijimin e partneriteteve të reja ndërmjet kompanive sllovene dhe bizneseve kosovare.
Zëvendësministri Mehmeti vlerësoi kontributin e investitorëve sllovenë ndër vite në ekonominë e Kosovës, duke theksuar se bizneset dhe prodhuesit vendorë përfaqësojnë një potencial të rëndësishëm për zgjerimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Në takim u theksua përkushtimi i Kosovës për zhvillimin e një ekonomie të hapur dhe konkurruese, të orientuar drejt rritjes së investimeve, promovimit të eksporteve, inovacionit dhe fuqizimit të sektorit privat.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për rritjen e shkëmbimeve tregtare, krijimin e lidhjeve të reja biznes-me-biznes dhe mbështetjen e kompanive kosovare për të depërtuar më fuqishëm në tregun slloven dhe atë evropian.
Përmes dialogut të vazhdueshëm me komunitetin e biznesit, MINTI synon që sfidat dhe rekomandimet e ndërmarrjeve të adresohen përmes politikave konkrete që nxisin investimet, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e eksporteve dhe integrimin më të madh të bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare.
Bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë u vlerësua si një fushë me potencial të madh zhvillimi, ndërsa u riafirmua gatishmëria për të vazhduar forcimin e partneritetit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.


