Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, priti sot drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, me bashkëpunëtorët e tij, me të cilët ka diskutuar për intensifikimin e bashkëpunimit të MTI-së me asociacionet e komunitetit të biznesit.
Ministri Mulaj me këtë rast tha se MTI do të vazhdojë të jetë e hapur për bashkëpunim me odat ekonomike, me qëllim të përkrahjes së zhvillimit të sektorit privat dhe rritjes së investimeve të huaja në Kosovë. “Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të vazhdojë të jetë e gatshme për rritjen e bashkëpunimit në të gjitha sferat dhe sidomos në kontributin të cilin Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mund të japë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe sidomos në përkrahje të zhvillimit të sektorit privat dhe rritjes së investimeve të huaja në Kosovë”, tha ministri Mulaj.
Në takimin njoftues ministri Mulaj tha se Oda Ekonomike Amerikane është një urë lidhëse për bashkëpunim me investitorët e huaj dhe së bashkë me Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, janë të gatshëm të vazhdojnë bashkëpunimin me shpresë që investimet e huaja në Kosovë, dhe sidomos ato të bizneseve amerikane, të rriten.
Nga ana tij, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zekaj, tha se Ministria dhe Oda Ekonomike Amerikane do të vazhdojnë bashkëpunimin, me qëllim të fuqizimit dhe të promovimit të punës që po bën sektori privat. Zekaj njoftoi ministrin Mulaj me problemet që kanë disa nga bizneset në eksportin e produkteve të tyre, me ç’rast mori premtimin e ministrit se problemet e tyre do të adresohen sa më pare, në mënyrë që të heqin çdo barrierë që kanë ato.