Ministria e Tregtisë dhe Industrisë sqaron opinionin se artikulli “Ish Ministrja Kusari Lila akuzohet për shkelje” në gazetën “Kosova Sot” i datës 29 Tetor, 2013, keq informon qëllimisht lexuesit, është tendencioz dhe nuk bazohet në fakte.
Me qëllim të informimit të drejtë të lexuesve, MTI sqaron se reforma strukturore dhe administrative në MTI është e bazuar në dokumente ligjore të bazuara në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, sikur të gjitha institucionet tjera shtetërore është e obliguar që ti zbatojë ligjet e vendit dhe rregulloret e miratuara nga Qeveria e Kosovës. Reforma strukturore në kuadër të MTI-së, për të cilin artikulli juaj qëllimisht pohon se është e jashtëligjshme, në të vërtetë është e bazuar në Rregulloren Nr. 29/2012 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në MTI, e cila është e miratuar nga Qeveria e Kosovës në Dhjetor të vitit 2012. Rregullorja është dokument publik dhe mund të shihet nga çdo qytetar i Kosovës duke përfshirë këtu edhe gazetën Kosova Sot.
Çdo pozitë e shpallur në MTI është e hapur, publike, transparente dhe bazohet vetëm në Kushtetutën, Ligjet e Kosovës dhe rregulloret dhe vendimet e Qeverisë së Kosovës.
Për qartësim të mëtejshëm, kjo rregullore është hartuar mbi bazën e këtyre akteve: nenit 93 (paragrafi 4) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 34 paragrafi 1 të Ligjit Nr. 03/L-189 për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës, nenit 19 paragrafit (6.2) të Rregullores Nr. 09/2011së Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe nenit 23 paragrafi 10 të Rregullores Nr. 09/2012 për Standardet e Organizimit të Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Administratën Shtetërore.
Në bazë të kësaj Rregulloreje, ka qenë obligim ligjor i MTI-së që Zyrën për Pronësi Industriale ta shndërrojë në Agjenci për Pronësi Industriale. Vazhdimi me Zyre për Pronësi Industriale do të nënkuptonte shkelje të ligjit dhe rregulloreve të Qeverisë së Kosovës.
Po ashtu, ka qenë obligim ligjor për MTI që të shpallë pozitën për Drejtor të Ri të Agjencisë për Pronësi Industriale. Në këtë drejtim, zgjedhja e drejtoreshës të Agjencisë për Pronësi Industriale është bërë konform Rregullores nr. 06/2010 për Procedurat e Emërimit në Pozita të Larta Drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dëshiron të sigurojë opinionin e gjerë që zgjedhja dhe emërimi i zyrtarëve është plotësisht në pajtim Ligjet dhe Rregulloret në fuqi të Republikës së Kosovës. Qasja dezinformuese dhe tendencionze e kujtedo qoftë, e posaçërisht e mediave që kanë për obligim informimin e drejtë dhe të paanshëm nuk i kontribuon askujt e më së paku zhvillimi të mëtejme të Kosovës.