Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, priti deputetin kanadez Russ Hiebert, i cili ishte i shoqëruar me bashkëpunëtorin e tij Peter Stock, ku biseduan për mundësitë investive.
Fillimisht, u.d. i Ministrit Avni Kastrati i njoftoi deputetin kanadez,z. Hiebert për mundësitë që ofron Kosova në fushën e investimeve dhe të industrisë, si dhe për mundësitë e të bërit biznes.
Z.Kastrati i informoi të pranishmit se Kosova ka kushte të favorshme për investime. “Taksa të ulëta për biznes, potencial të fuqisë punëtore, treg liberal – me mundësi të tregtimit të produkteve edhe në Evropë, marrëveshje tregtare preferenciale me SHBA-në, si dhe marrëveshje të tjera me shtetet të fuqishme industriale. Po ashtu, pozita e mirë gjeografike dhe strategjike e Kosovës janë parakushte për investitorë që shprehin gatishmërinë për të investuar në Kosovë”, theksoi u.d. i ministrit, Avni Kastrati.
Në takim ishte edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi, që njëherësh është edhe pronar i kompanisë “Elkos Group”, i cili i njoftoi mysafirët për legjislacionin e Kosovës në fushën e tregtimit dhe investimeve të jashtme, pasi që ka qenë deputet edhe në legjislaturën e kaluar. Ai bëri të ditur para tyre se Kosova ofron mundësi dhe kushte të favorshme për investitorët, duke iu referuar legjislacionit në fuqi dhe kulturës shoqërore të kosovarëve për respektimin e investitorëve të jashtëm, sidomos atyre vendeve që i konsiderojnë miq të Kosovës.
Më tej, të pranishmit u njoftuan nga Kreshnik Thaçi, zyrtar i lartë për promovimin e investimeve ne Ministrine e Tregtise dhe Industrise, për taksat e favorshme që ofron Kosova, marrëveshjet e lira tregtare, zonat e lira ekomomike, fuqi të lirë punëtore dhe për resurset tjera ekonomike që ka Kosova.
Ndërkaq, deputeti kanadez dhe njëherësh përfaqësues i Komisionit për Ekonomi dhe Tregti në Parlamentin e Kandasë, Russ Hiebert, paraqiti interesimin e tij rreth mundësive të bashkëpunimit tregtar të afaristëve kosovarë dhe kanadezë. “Mundësitë dhe ofertat që i ofron Kosova për investime të jashtme unë do t’i prezantojë para afaristëve kanadezë, të cilët janë potencial për të investuar në fusha me interes për afaristët dhe Kosovën”, u shpreh deputeti Hiebert, duke u interesuar edhe për format e privatizimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë, siç janë: Postë-Telekomi i Kosovës, “Trepca”, projekti i ri energjetik "Kosova e Re", si dhe për projektet tjera me interes për investitorë kanadezë.
z.Kastrati, gjithashtu potencoi se institucionet e Kosovës, veçanërisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke u angazhuar për krijimin e kushteve sa më të mira për investitorët e jashtëm.